Një moment, ku dukej sikur presidenti francez Emmanuel Macron qëllohej me shuplakë nga gruaja e tij Brigitte pas mbërritjes së avionit presidencial në Vietnam, u bë viral. Kur dera e avionit hapet, kamera kapi siluetën e Macron si edhe duart e Brigitte mbi fytyrën e presidentit francez, një lëvizje që dukej si shuplakë.
Macron duket i befasuar, del jashtë për të përshëndetur të pranishmit, siç dikton protokolli. Më pas presidenti francez, siç e ka zakon, ia zgjat dorën në mënyrë diskrete gruas së tij. Por Brigitte Macron refuzon dhe mbahet në shkallët e avionit, duke ngritur pyetje rreth asaj që ka ndodhur mes tyre.
A po grindeshin? Në media sociale ‘shpërthyen’ me furi teoritë konspirative. Pallati Elize, i përballur me sasinë e madhe të ripostimeve dhe komenteve mbi videon, fillimisht mohoi se ishte autentike. Pastaj, pasi rezultoi e kundërta, burime nga Elize folën për një “moment afërsie” mes tyre.
“Ishte një moment kur presidenti dhe gruaja e tij po relaksoheshin për herë të fundit para se të fillonte udhëtimi, duke ngacmuar njëri-tjetrin me shaka. Nuk kishte nevojë për më shumë për të ushqyer mullinjtë e teoricienëve të konspiracionit”, shtoi burimi.