Partia Socialiste e Shqipërisë ka shënuar një fitore të thellë dhe bindëse në Tiranë. Në 954 qendrat e votimit në territorin e bashkisë Tiranë, rezultati konfirmon mbështetjen masive për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, në rrugëtimin e nisur për Shqipërinë Europiane.
Në përmbyllje të procesit të numërimit, Drejtuesja Politike e Qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu, shprehu mirënjohjen ndaj çdo qytetari që shprehu vullnetin e tij me votë:
“Faleminderit Tirana!
Qytetarët e Tiranës folën me votë! Folën me zemër!
Tirana zgjodhi sërish Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Me bindje dhe besim të plotë.
Zgjodhi të vulosë drejtimin e nisur, rrugën e punës dhe të progresit. Kjo fitore na ngarkon me më shumë përgjegjësi, për të vazhduar me përkushtim detyrën tonë në shërbim të qytetarëve dhe misionit të përbashkët të Shqipërisë Europiane.
Kjo është fitorja e qytetarëve”, deklaroi Manastirliu.
Qytetarët e Tiranës vendosën përmes votës së tyre për mandatin e katërt radhazi për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
Në 954 qendra votimi të Bashkisë Tiranë, Partia Socialiste është shpallur fituese me 166.891 vota, përkundër 110.377 votave të Partisë Demokratike, teksa vijon numërimi i votave të diasporës, ku konfirmohet trendi pozitiv në mbështetje të Partisë Socialiste.
Çdo njësi e Bashkisë së Tiranës, nga Njësia 1 deri te Njësia 11, nga Kashari, Zall-Bastari, Zall-Herri, Baldushku, Bërzhita, Shëngjergji, Ndroqi, Farka, Petrela, Dajti, Peza, Vaqarr, Krrabë, votuan bindshëm, duke konfirmuar fitoren për Partinë Socialiste në kryeqytet.