Një 41-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me plumb në kokë pasditen e sotme në zonën e Artemidës në Greqi, nën dyshimin e konflikteve në fushën e drogës në të kaluarën, pasi edhe autori i dyshuar i krimit kishte precedentë penalë për trafik narkotikësh dhe është shpallur në kërkim.

Sipas informacioneve nga mediat greke, thuhet se gruaja e tij ka marrë një telefonatë nga bashkëshorti i saj disa orë më parë, i cili i ka thënë se një mik i tij e kishte qëlluar me armë.

36-vjeçarja e kërkoi atë përmes aplikacionit Find my iPhone, nga ku më në fund gjeti vendndodhjen e celularit të tij, dhe së bashku me një ekip nga njësia DIAS e Policisë Helenike shkuan në kryqëzimin e rrugëve Arionos dhe Anemoessas, në zonën e Artemidës, ku telefoni i viktimës u gjet i mbuluar me gjak, por burri nuk u gjet.

Që nga ajo kohë, filluan kërkimet, të cilat rezultuan në gjetjen e viktimës pak minuta më pas.

Autori i krimit dyshohet se është gjithashtu me origjinë shqiptare dhe i njohur për autoritetet për përfshirje në raste droge.