Një tjetër akuzë e pabazuar është publikuar nga portali i lidhur me familjen Berisha, i cili në artikullin e fundit ka pretenduar se kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij kanë udhëtuar për në Londër me bileta në klasën business. Syri TV ka raportuar se udhëtimi i Ramës, sipas tyre i financuar nga para të ardhura nga krimi dhe manipulimi i zgjedhjeve, është kryer me komoditetin e klasës së parë.
Por faktet e siguruara nga Shqiptarja.com e hedhin poshtë këtë pretendim. Dokumenti i udhëtimit, konkretisht kartat e imbarkimit të çiftit, tregojnë qartë se ata kanë qëndruar në rreshtin e tetë – vend që, sipas konfigurimit të avionëve në linjën Tiranë–Londër, është pjesë e klasës ekonomike dhe jo asaj business.
Në artikullin e publikuar nga Syri TV, thuhet:
“Pasi vodhi zgjedhjet me paratë e krimit dhe skemën e trenit bullgar, Edi Rama ndërmerr udhëtimin me business class. Burime për Syri bëjnë me dije se Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja, është nisur me business class drejt Londrës. Arsyeja e këtij udhëtimi nuk është ende e qartë, por ajo që dihet, sipas tyre, është se Rama nuk ndahet nga zakoni i mashtrimit dhe gënjeshtrave ndaj shqiptarëve.”
Ky pretendim bie ndesh me një deklaratë të vetë kryeministrit, dhënë në mars 2025, kur iu përgjigj një komentuesi në rubrikën “Sy më sy” lidhur me klasën e udhëtimeve të tij jashtë shtetit. Ai sqaroi:
“Udhëtoj me avion ekonomik dhe jo në biznes. Përjashtuar ato udhëtimet e gjata në SHBA. Për në Europë, janë të gjitha në ekonomik. Çfarë flisni, për ça thoni, ja fjalë e vërtetë (bie kambana)… Pra kur vjen puna te jeta e secilit, nuk e di askush përveç vetë atij dhe familjes.”
Pavarësisht kësaj deklarate, Syri TV ka publikuar një video që, sipas tyre, vërteton të kundërtën. Kujtojmë se edhe në shtator të vitit të kaluar, i njëjti portal pretendonte se Rama kishte udhëtuar drejt New York-ut për Asamblenë e OKB-së me business class.
Gjithashtu, Syri ka rikujtuar edhe një deklaratë të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ka akuzuar Ramën për një shpenzim prej 14 mijë eurosh për një fluturim drejt Romës, si dhe për shkaktimin e një humbjeje prej 20 milionë eurosh me falimentimin e Air Albania.