Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, ku PSD arriti të sigurojë 3 mandate deputetësh. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Doshi ka falënderuar 50 mijë shqiptarët që votuan për partinë e tij, duke shprehur mirënjohje të veçantë për qytetarët nga të gjitha qarqet e vendit dhe diaspora.
“Ju jeni forca jonë dhe arsyeja pse vazhdojmë të ecim përpara, mbi të gjitha për të ba ma t’mirën për ju,” shkruan Doshi, duke vlerësuar angazhimin e anëtarëve dhe aktivistëve vullnetarë që, sipas tij, kontribuan në këtë rezultat.
Ai u zotua se PSD do të punojë “pa u lodhur e pa u ndalur” për të përmbushur kontratën me shtresat në nevojë dhe me ata që “kanë nevojë të dëgjohen e të përkrahen”.
Një falënderim i veçantë iu drejtua votuesve besnikë në Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Fushë Arrëz dhe Vau i Dejës, të cilët Doshi i cilëson si bazën më të fortë të mbështetjes së tij politike.
“Misioni vazhdon!” – përfundon ai mesazhin.