Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar partitë që ishin në opozitë gjatë legjislaturës së tetë për dështimin e konstituimit të Kuvendit për 21 herë radhazi. Kurti pas fillimit të konferencës shkencore deklaroi para gazetarëve se bllokimi po bëhet nga opozita përmes refuzimit të votimit të fshehtë.
“Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. E përgjigja është votimi i fshehtë për çfarë opozita padrejtësisht dhe me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin”, deklaroi Kurti. Për 21 herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar në konstituimin e legjislaturës së nëntë, përfshirë edhe në seancën e së dielës. Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur pikërisht në pikën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Fillimisht, votimi për kryetare të Kuvendit, për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu, u zhvillua në mënyrë të hapur, por ajo nuk arriti asnjëherë të sigurojë votat e nevojshme për këtë pozitë. Më pas, si zgjidhje, LVV-ja propozoi formimin e një komisioni për votim të fshehtë, propozim që vazhdon të dështojë, ndërkohë që partia insiston në këtë opsion.