Muzeu Etnografik në Elbasan, i shpallur Monument Kulture kategoria e I, pas restaurimit po tërheq vizitorë vendas e të huaj, duke u ofruar një përvojë autentike në rrënjët e historisë, kulturës dhe jetesës tradicionale të qytetit.
I njohur ndryshe dhe si “Shtëpia e Sejdinasve”, në këtë ndërtesë dykatëshe të shekullit të 18-të prezantohet kultura, folklori dhe stili i jetesës së qytetit.
Përgjegjësja e Muzeut Etnografik, Denada Kristo tha për ATSH-në se “pas përfundimit të punimeve më 14 mars të këtij viti ky muze është vizituar nga 2500 vizitorë vendas e të huaj”.
“Turistët e huaj kryesisht janë gjermanë, francezë, italianë, spanjollë, amerikanë, por nuk mungojnë edhe vizitorët nga Kosova. Interes të veçantë për këtë muze kanë treguar edhe përfaqësues diplomatikë që vizitojnë Elbasanin”, theksoi Kristo.
Sipas saj, vizitorët njihen nga afër me objektet e pasura etnografike, veshjet tradicionale dhe elementët e jetës së përditshme të shekujve të kaluar.
Në këtë muze ekspozohen rreth 80 zeje tradicionale, duke pasqyruar mjeshtërinë, stilin e jetës dhe zhvillimin ekonomik të qytetit ndër shekuj. Muzeu mbart në çdo kënd frymën e një qyteti të lashtë që di të ruajë dhe vlerësojë trashëgiminë.
Restaurimi i muzeut ka rikthyer shkëlqimin e një prej godinave më përfaqësuese të trashëgimisë sonë. Restaurimi përfshiu çatinë, çardakun, parmakët, fasadën, dritaret dhe elementë të tjerë autoktonë të banesës, gjithmonë me kujdes për të ruajtur identitetin e saj historik dhe arkitekturor.
Muzeu Etnografik qëndron i hapur çdo ditë të javës dhe mirëpret vizitorë nga vendi dhe jashtë, që duan të njihen më nga afër me jetën e të parëve tanë, veshjet, traditat, artizanatin dhe gjithë pasurinë shpirtërore të këtij qyteti.