Nga Mero Baze

Kanë kaluar 24 orë që Sali Berisha ka hedhur në sulm gjithë propagandistët e PD-së, apo ata deputetë që dalin nëpër ekrane “të shikojnë filxhanin” për çdo fjalë të deklaratës së shkurtër të ambasadës së SHBA për zgjedhjet në Shqipëri.

Dikush e sulmon ambasadën si memece, të tjerë nxjerrin përfitime të mëdha nga memecëria e saj; një pjesë tjetër e sulmon si mbetje sorosiste, ndërsa të tjerë e shpallin deklaratën si gjeniale.

Vetë Berisha, i cili është urdhëruesi i kësaj kakofonie, na fton ta krahasojmë me deklaratën e vitit 2021, ku përmendej me emër kryeministri Rama si fitues, duke nënqeshur sikur ka arritur një fitore të madhe.

Pas gjithë kësaj tragjikomedie – që natyrisht Edi Rama e shijon shumë – e vetmja gjë pozitive për Shqipërinë është fakti që tani kemi një opozitë që nga antiamerikane dhe sovraniste, është shndërruar në një opozitë proamerikane dhe ka hequr dorë nga sovranizmi si identitet i saj.

Ky është një zhvillim shumë pozitiv. Jo se përbënin ndonjë rrezik real, por po na bënin vend qesharak.

Duke u thirrur në emër të sovranizmit dhe duke kërkuar që shqiptarët të mos dëgjonin çfarë mendonin SHBA dhe BE, ithtarët e Berishës për katër vite me radhë filluan të krijonin një profil politik qesharak – duke u sjellë sikur ishin të vendosur të ndërtonin një Shqipëri që nuk pyeste as për SHBA, as për BE – njësoj si dikur kur nuk pyesnim as për KNER-in dhe as për Tregun e Përbashkët Evropian.

Këtij profili, iu bashkua edhe Ilir Meta, me një tufë mbetjesh të ish-bllokut komunist që i thirri pas vetes, duke e kthyer në një përzierje enveristo-sovraniste, të bazuar në teoritë e izolimit kombëtar dhe luftës kundër SHBA.

Kjo komedi, së paku, përfundoi. Këto zgjedhje sollën një ndryshim serioz në politikën shqiptare: zhdukën këtë specie qesharake që na mbiu para syve tre vitet e fundit.

Tani debati ka lezet. Të gjithë ish-sovranistët e Shqipërisë ulen në kafe në mëngjes, marrin deklaratën e ambasadës së SHBA-së dhe me të shpjegojnë gjithë të ardhmen e tyre. Pak rëndësi ka që nuk janë fallxhorë të mirë – rëndësi ka nga e presin fatin. Dhe kjo është një shenjë e mirë për shoqërinë shqiptare.

Të paktën, nuk kemi më forca antiamerikane dhe antiperëndimore në politikën shqiptare. Madje ish-sovranistët shkuan aq larg, sa edhe fatin e tyre politik nuk e mbështetën më tek shqiptarët, por tek magjia e një amerikani të quajtur LaCivita.

U kushtoi pak shtrenjtë, por ja vlejti – se ndryshe do ishin ende sovranistë. Tani janë bërë të gjithë strategë që i tregojnë Edi Ramës se e ardhmja e tij është e zymtë, pasi ka filluar ndryshimi që në 2021… dhe më 2029 do vazhdojë më tej.