Per kryesocialistin Rama, është një turp i madh për Shqipërinë, që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian, të ketë një kënetë në mes të parlamentit, vetëm e vetëm për hallin personal të Bababufit të dëshpëruar.
Ndërsa ka ndarë një tjetër gafë të Berishës në Gramsh, Rama e konsideron atë person të dëshpëruar, të pashpresë e akoma më keq, shkruan ai, të përçartur.

Postimi i plotë:
NJË FABUL POPULLORE DHE NJË SHËNIM
U ndan detyrat baba djemve të rritur. Ti i thotë të madhit do kujdesesh për prodhimin e arës. Ti i thotë të dytit do kujdesesh për shitjen e prodhimit. Ti i thotë të voglit do kujdesesh për babën dhe ta mbash ke shpia që mos e qeshin dynjaja kur të fillojë me lajthitë !
“Po si do e marr vesh unë këtë o babë?” e pyet djali babën. “Do e marrësh vesh kollaj biri im, sapo baba të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave!”, i përgjigjet i ati.
Shënim: Tani që Bababufi i ka lëshuar edhe zyrtarisht krejt pëllumbat, po zogjtë e tij trushpëlarë e marrin vërdallë nëpër Shqipëri me tendë – se ai nuk e mban dot më as diellin, kurse ata pa të janë si këneta pa ujë – u ka mbetur veç demokratëve të thjeshtë, e me mend në kokë, ta bëjnë detyrën e atij djalit të vogël të fabulës popullore.
Dhe ishallah e bëjnë, duke mos e votuar më për ta nxjerrë rrugëve, se për ta është jo vetëm një votë e hedhur në kënetë, po tanimë edhe një hyrje në gjynah, ndërsa për Shqipërinë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian, është një turp i madh të ketë një kënetë në mes të parlamentit, vetëm e vetëm për hallin personal të Bababufit të dëshpëruar, të pashpresë, e më keq akoma, të përçartur!