Nga Fatos Çoçoli/
Bashkimit Evropian. Do të votojmë dhe po votojmë për forcën politike që mund të na sjellë në këta katër vitet e ardhshme, më afër Brukselit(Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, është edhe qendra e qeverisë së Bashkimit Evropian, që quhet Komisioni Evropian).
Janë me dhjetra mijëra familjet shqiptare, fëmijët e të cilëve studjojnë në universitetet e vendeve të Bashkimit Evropian. Këto familje e dinë se me një pashaportë të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, fëmijët e tyre do të kishin dhjetë herë më shumë shanse të punësoheshin në Bashkimin Evropian, pas mbarimit të studimeve universitare në këto vende. Jo vetëm shkollimi, por edhe ndërtimi i jetës në një vend të Evropës Perëndimore vijon ende të jetë ëndrra më e frymëzuar e prindërve, por edhe e fëmijëve tanë.
Cila forcë politike na sjell më pranë Brukselit?
Vërtet, cila është kjo forcë? Një tregues i rëndësishëm për rritjen e imazhit dhe rëndësisë së vendit tonë përballe strukturave vendim-marrëse kryesore të Bashkimit Evropian, është numri i takimeve të nivelit më të lartë që janë zhvilluar në Tiranë.
Për vitet 2005-2018 nuk kemi patur ndonjë. Dhe kjo ishte e kuptueshme. Shqipëria, edhe pse shtet-faktor qëndrueshmërie e paqeje në Ballkanin Perëndimor në vijueshmëri, ishte tepër e vogël dhe periferike. Më vonë diçka nisi të ndryshonte për mirë.
Në tre vitet e fundit, në Tiranë janë zhvilluar katër samite(takime të nivelit më të lartë) të strukturave drejtuese të Bashkimit Evropian, shumica e të cilave ndodhet në Bruksel. Për krahasim, në Shkup samite të tilla në vitet 2023-2025 janë zhvilluar vetëm një dhe në Podgoricë asnjë.
Në datën 16 maj 2025, në Tiranë do të zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Europian, ku pritet të marrin pjesë krerët e shteteve nga shumë vende të Bashkimit Europian.
Më 16 tetor 2023 u realizua Samiti i Procesit të Berlinit. Më 28 shkurt 2024 Samiti Ukrainë-Evropë Juglindore dhe më 29 shkurt 2024 Samiti BE-Ballkani Perëndimor po në Tiranë.
Brenda 135 ditëve, 16 tetor 2023-29 shkurt 2024, në Tiranë janë mbajtur tre samite të rëndësishëm, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në kryeqendrën e zhvillimeve diplomatike të kontinentit.
Dikur të pamësuar me takime të një niveli ndërkombëtar, tashmë ato kanë krijuar ndjesinë se mbajtja e tyre në Tiranë është bërë diçka e zakonshme.
Ato kanë bërë që faktorizimi i Shqipërisë të ngrihet në një shkallë më të lartë dhe kontributi i saj si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE të jetë jo dhe aq modest.
Nuk kishte parë më parë Shqipëria drejtuesit e Evropës së bashku të qëndronin në Tiranë siç ndodhi më 16 tetor 2023.
Për fat të keq, e vetmja statistikë e hidhur për vendin tonë e këtyre viteve të fundit në përparimin në BE, është se pas bojkotimit të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2019, opozita jonë kryesore është thirrur zero herë nga zyrtarët e lartë në Bruksel, në krahasim me 7 herë thirrje dhe takime të opozitës kryesore në Maqedoninë e Veriut dhe katër herë në Malin e Zi, brenda të njëjtës periudhë.
Çfarë fitojmë nga samitet?
Së pari, fonde shumë të rëndësishme për ne. Në tre vite 2025-2027, samitet na ndihmuan të sigurojmë 922 milionë euro për zhvillimin tonë.
Së dyti, me Brukselin më afër, vendi ynë është konfirmuar jo vetëm një aleat dhe partner i besueshëm për Perëndimin, por edhe një faktor i rëndësishëm paqeje në rajonin e trazuar të Ballkanit.
Së treti, Shqipëria fitoi satusin e një vendi që është jo thjesht një partner i sigurtë i SHBA dhe BE. Por një qendër që nëpërmjet samiteve të mbajtur, vendet e Ballkanit kanë treguar solidaritet veçanërisht për mbështetjen ndaj Ukrainës kundër Rusisë. Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit që shërben si kundërpeshë ndaj çdo përpjekjeje proruse në këtë rajon.
Së katërti, Shqipëria fitoi të jetë pjesë e një projekti të madh të zhvillimit të rajonit të Ballkanit në vitet 2025-2027 dhe jo vetëm nga paketa e 6 miliardë Eurove që jep BE për këtë rajon, por edhe nga 30 miliardë euro të tjera, mbi bazën e reformave që do të ndërmerren.
Me votën tonë sot, ne mund të mbërrijmë shpejt t’i marrim BE-së edhe 1 miliardë euro në vit, po të dimë të zgjedhim forcen e duhur politike, që na çon drejt kryerjes me sukses dhe në kohë të investimeve dhe reformave tona.