Ministri i Brendshëm, i Drejtësisë dhe Paqes në Venezuelë, Diosdado Cabello, denoncoi një tjetër përpjekje për sulm të organizuar nga opozita ekstremiste venezueliane, me synim destabilizimin e vendit dhe sabotimin e zgjedhjeve të planifikuara për të dielën, më 25 maj. Sipas tij, tentativa është udhëhequr nga Iván Simonovis, ish-oficeri i Forcave të Armatosura (FANB), Arturo José Gómez Morante dhe opozitarja María Corina Machado.
Gjatë një konference për shtyp, Cabello theksoi se plani përfshinte vendosjen e mjeteve shpërthyese dhe detonatorëve elektronikë në ambasada, komisariate policie, spitale, shërbime publike dhe ndaj personaliteteve të shtetit venezuelian.
Ai bëri me dije se janë arrestuar gjithsej 38 persona të tjerë – ndër ta specialistë të eksplozivëve, kontrabandistë njerëzish (“coyotes”) dhe mercenarë – nga të cilët 17 janë të huaj, përfshirë disa ukrainas, dhe 21 janë me shtetësi venezueliane.
Ministri sqaroi gjithashtu se Arturo José Gómez Morante ndodhet nën mbrojtjen e qeverisë amerikane dhe ka lidhje direkte me grupet konspirative të drejtuara nga Simonovis dhe Machado.
Ndër të ndaluarit, Cabello njoftoi se është edhe një shtetas shqiptar me shtetësi kolumbiane, i quajtur Enid Kasmi, i cili, sipas të dhënave të përftuara nga pajisjet mobile që kishte në zotërim, ka marrë pagesa nga Shtetet e Bashkuara për të ndërmarrë veprime destabilizuese dhe të dhunshme në Venezuelë.