Drejtuesja politike e qarkut Tiranë për Partinë Socialiste, Ogerta Manastirliu, në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka komentuar ecurinë e procesit të numërimit dhe rezultatin e deritanishëm në kryeqytet.
Manastirliu u shpreh se Partia Socialiste është duke fituar bindshëm në Bashkinë e Tiranës dhe në mbarë qarkun, ndërsa theksoi se procesi po zhvillohet në mënyrë shembullore dhe transparente.

“Jemi në një moment ku të gjithë jemi të fokusuar të përfundojë procesi i numërimit në qarkun e Tiranës dhe Bashkinë e Tiranës. Është duke fituar bindshëm. Janë përfunduar më shumë se 50% e kutive. Numërimi po vijon. Ne besojmë se me procesin që po ecën, i cili është vërtet një proces me standard të larta”
Duke folur për rezultatin në qarkun e Tiranës, ajo nënvizoi objektivin për të arritur një fitore të thellë:
“Partia Socialiste kryeson bindshëm në Tiranë. Ne synojmë, me pritshmëritë dhe projeksionet tona, duke evidentuar edhe mbështetjen tonë në të gjitha njësitë e Tiranës, të shkojmë drejt 20 mandateve. Synojmë të shkojmë drejt 20 mandateve në bazë të rezultateve dhe trendit që ne po shohim në të gjitha projeksionet që po bëjmë, duke evidentuar pikërisht trendin pozitiv në të gjitha njësitë e Tiranës dhe duke përfshirë këtu edhe trendin në votat e diasporës.”
Manastirliu theksoi se ky rezultat është reflektim i punës së skuadrës dhe mbi të gjitha i besimit të qytetarëve:
“Besoj se është punë skuadre dhe mbi të gjitha është besimi i qytetarëve që tregon se qytetarët besojnë te projekti ambicioz për Shqipërinë europiane, besojnë te punët që Partia Socialiste do të çojë përpara, besojnë për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve. Dhe sigurisht që skuadra e Partisë Socialiste, organizimi elektoral dhe kultura e punës që ne kemi, ka bërë të mundur maksimizimin e votës dhe arritjen e këtij rezultati, që për Partinë Socialiste është një përgjegjësi edhe më shumë për të çuar përpara këtë projekt ambicioz, së bashku si skuadër me qytetarët shqiptarë.”, tha Drejtuesja Politike e Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu.