Dy ditë pas arrestimit të tyre gjatë një dreke në një restorant luksoz në Gjirin e Lalzit, Xhevdet Plaku dhe gjashtë persona të tjerë u paraqitën para gjykatës së Durrësit. Gjykata vendosi që Xhevdet Plaku, Voltan dhe Jugert Xhani, Fatjon Qesja, Oltion Hasani dhe Flobenc Meçja të qëndrojnë në arrest në burg, ndërsa për Alfred Hasanajn u mor masa “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Ata u paraqitën në gjykatë me masa të rrepta sigurie, me praninë edhe të forcave speciale të policisë (FNSH). Seanca nisi me një orë e gjysmë vonesë për shkak të vonesës së Voltan Xhanit dhe Flobenc Meçjas, të cilët nuk ndodheshin në paraburgimin e Durrësit. Gjykimi u zhvillua me dyer të mbyllura.
Policia kapi në flagrancë 7 personat teksa po konsumonin një drekë të shtrenjtë me peshk dhe krudo, dhe 4 prej tyre rezultuan të armatosur.
Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Kiss” nga Durrësi, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte arratisur nga burgu në Ankonë në janar të këtij viti. Ai kishte qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Ndërkohë, Flobenc Meçja, i njohur si Gega ose Drini nga Shkodra, ishte në kërkim nga SPAK për më shumë se një vit, lidhur me dosjen “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet për “Organizatë kriminale” dhe “Sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve”.
Voltan Xhani konsiderohet i dyshuari kryesor në organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në lagjen “Ahmet Haxhiu” në Shkodër më 30 gusht 2024. Sipas policisë, 39-vjeçari, i cili jeton në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa vëllai i tij, Jugerti, e ka ndihmuar në këtë krim. Të dy janë pronarë të disa bizneseve.