Redi Tusha, në kërkim dhe me masë “arrest në burg” me vendim të autoriteteve italiane, për llogari të operacionit “Ura”, ku u firmosën 26 urdhër-arreste, rezulton të jetë vëllai i Ervis Tushës, nga Shijaku.

Ervis Tusha është njëri prej truprojave të Sali Berishës, i cili shihet shpesh në daljet publike të këtij të fundit, duke e shoqëruar në çdo protestë apo takim elektoral. Ervis Tusha, dikur pjesë e Gardës, dha dorëheqjen nga kjo detyrë në vitin 2019 për të vazhduar si truprojë e Berishës, pasi ky i fundit u zhvesh nga mbrojtja që i garantohej nga shteti.

Në dosjen e autoriteteve italiane lidhur me megaoperacionin “Ura”, Redi Tusha akuzohet për trafik droge në të paktën 2 raste. Nga hetimet ka rezultuar se Redi Tusha ka patur rol kyç në trafikimin e 5.5 kilogramëve “heroinë të pastër të quajtur banana”, nga Shqipëria drejt Italisë.

Pjesë nga dosja:

“Për veprën penale të parashikuar nga nenet 61 pika 2, 61 bis, 110 k.p. dhe 73 paragrafët 1 dhe 6, si dhe 80 pika 2 të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 309/90, e kryer me qëllim për të zbatuar programin kriminal të përshkruar në pikën B, sepse në bashkëpunim mes tyre dhe duke përfituar nga kontributi i një grupi kriminal të organizuar të angazhuar në veprimtari kriminale në më shumë se një shtet, importonin nga jashtë, mbanin dhe transportonin në Itali një sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike prej 2 kilogramësh heroinë “të pastër” të llojit të ashtuquajtur “banana”, e ardhur nga Shqipëria, e blerë me një çmim total prej 34.000 euro në para cash, e destinuar për përpunim dhe shitje në Itali.

Në veçanti, falë ndërmjetësimit të ALIU Gertin, i cili nga Shqipëria siguronte kontaktet me trafikantin shqiptar të drogës TUSHA Redi dhe vendoste me të afatet dhe mënyrën e dërgimit të drogës në Itali, bazuar në të dhënat e ofruara përmes telefonit nga SHAKAJ Leonard, i cili kishte për detyrë ndërmjetësimin në komunikimet me korrierin, PRESI Erigels priste në Fasano (Brindisi) lëndën narkotike, e transportuar fizikisht nga bashkëkombësi LESKAJ Arsen, i cili e fshihte atë në automjetin e tij.

Lënda narkotike, të cilën PRESI Erigels do ta përziente (për ta holluar) në banesën e tij në Bari me ndihmën e TELOLLARI Genci dhe FIORE Massimiliano, do të ishte më pas e destinuar për t’u shitur te persona të përfshirë në organizata të përkushtuara ndaj veprimtarive të shpërndarjes së drogës, që operonin në territorin e Barit dhe provincës së tij.”

|PRESEI Erigels, TELOLLARI Genci, FIORE Massimiliano, ALIU Gertin, TUSHA Redi, SHAKAJ Leonard:

Për veprën penale të parashikuar nga nenet 61 pika 2, 61 bis, 110 k.p. dhe 73 paragrafët 1 dhe 6, si dhe 80 pika 2 të D.P.R. 309/90, e kryer me qëllim për të zbatuar programin kriminal të përshkruar në pikën B, sepse në bashkëpunim mes tyre dhe duke përfituar nga ndihma e një grupi kriminal të organizuar të përfshirë në aktivitete kriminale në më shumë se një shtet, importonin nga jashtë, mbanin dhe transportonin në Itali një sasi të konsiderueshme prej 3.5 kilogramësh heroinë “të pastër”, e llojit të quajtur “banana”, që vinte nga Shqipëria dhe ishte destinuar për përpunim dhe shitje në Itali.

Në veçanti, falë ndërmjetësimit të ALIU Gertin, i cili nga Shqipëria lidhej me trafikantin shqiptar TUSHA Redi dhe vendoste me të kohën dhe mënyrën e dërgimit të drogës në Itali, bazuar në të dhënat e ofruara përmes telefonit nga SHAKAJ Leonard, i cili ndërmjetësonte komunikimet me korrierin, PRESI Erigels, TELOLLARI Genci dhe FIORE Massimiliano binin dakord për dorëzimin në Fasano, ku lënda narkotike, e transportuar fizikisht nga LESKAJ Arsen, fshihej në automjetin Fiat Iveco Eurocargo me targa shqiptare AA268AN, që ai drejtonte, shqiptarja.com