Kosovë- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vonesat për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit.
Ajo theksoi se vonesat janë të dëmshme dhe se qytetarët e Kosovës po e paguajnë çmimin e këtij bllokimi, pasi ende nuk ka një Kuvend funksional që mund të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të miratojë legjislacionin e nevojshëm për zhvillimin e vendit.
“Në Kosovë kemi pasur zgjedhje të lira e demokratike në shkurt të këtij viti dhe pas një periudhe janë certifikuar rezultatet zgjedhore. Më 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit, ku kanë filluar edhe përpjekjet e para për krijimin apo konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë. Tani ka kaluar më shumë se një muaj nga përpjekjet e para në këtë drejtim dhe fatkeqësisht ende nuk ka sukses. Mirëpo, edhe nëse e krahasojmë me shumë vende të ndryshme në Evropë, ka raste kur përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës zgjasin me muaj të tërë, pra nuk është jashtë normës evropiane. Kjo nuk do të thotë megjithatë qe ne nuk shqetësohemi për këto vonesa. Si president jam e shqetësuar për këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me moskonsituimin e Kuvendit ne nuk arrijmë ta kemi një Kuvend funksional, ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka edhe dëme të shumta të cilat ne i mbajmë si barrë, si qytetarë të Kosovës për shkak të mungesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Osmani.