Nga Mero Baze /
Partia e Sali Berishës nuk është thjesht një parti e mundur. Ajo është dërrmuar. Përveç se ka dalë e shkatërruar nga pikëpamja elektorale, ajo i ka dhënë kundërshtarëve të saj mundësinë të arrijnë një shumicë të cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë, drejt 84 mandateve, duke i bërë PD të parëndësishme në çdo proces që kërkon konsensus politik, përfshirë ndryshimet e ligjeve te cilësuara apo të Kodit Zgjedhor.
Në debatin për dërrmimin e kësaj partie, është e kotë të merresh me njerëz që përpiqen të shpikin arsye përtej berishizmit. Ata ose duhen trajtuar si budallenj, me të cilët nuk ia vlen të bisedosh, ose si njerëz të ligj që e urrejnë në thelb Partinë Demokratike dhe i ka mbetur halli vetëm si ta mbajnë në këmbë kufomën e Sali Berishës.
Ish-Partinë Demokratike e mundi berishizmi. Dhe nuk e mundi më 11 maj 2025. Ajo pësoi goditjen finale nga vetë rikthimi i Berishës në PD më 19 maj 2021 — ditën kur nisi sulmi i tij mbi partinë që kishte drejtuar dikur, pas shpalljes “non grata” nga SHBA. Ajo që nisi si “luftë për demokraci të brendshme”, përfundoi si një uzurpim personal, duke e kthyer PD-në në një armë kundër vetë Perëndimit që dikur e mbështeste.
Ripushtimi i PD nga berishizmi ndodhi si një hordhi otomane, që përdori anëtarësinë si ushtri personale për të mbrojtur “sulltanin” nga drejtësia ndërkombëtare. Ky ripushtim riktheu në PD të gjitha plagët e vjetra, të marra që nga themelimi dhe të thelluara gjatë sundimit 35-vjeçar të Sali Berishës.
Të gjitha simptomat e degradimit u shfaqën më qartë se kurrë në këtë fushatë.
Shfaqja e parë e dhimbshme ishte përdorimi i të gjithë strukturës së opozitës për të larë mëkatet e Berishës. 6 milionë dollarë të deklaruara publikisht dhe disa herë më shumë të padeklaruara janë paguar në mënyrë jotransparente për të amnistuar moralisht Berishën nga historia e tij antiamerikane.
Përmes teorive konspirative dhe fushatave të turpshme, u tentua të bindet opinioni se SHBA mund të blihej. Vendi simbol i demokracisë botërore u paraqit si një sistem ku mund të lahen mëkatet përmes lobimeve të paguara nga para të pista, pikërisht për atë korrupsion që ishte arsyeja e sanksionit.
Pasuan manovrat qesharake për të bindur shqiptarët se “non grata” ishte hequr, se Berisha mund të udhëtonte në SHBA, e më tej, iluzione të udhëhequra nga një “strateg” amerikan që, me sa duket, nuk kuptoi ku kishte ardhur. Ky diskurs e kthente Sali Berishën në një figurë qesharake dhe të vetëkompromentuar.
Tani jam gati t’ia paguajë unë biletën për në SHBA kur të dojë, por realiteti është që nuk ka vizë — as ai, as gruaja, as vajza, as djali. E gjithë kjo paraqiti partinë e tij si një turmë injorante që rendte pas hallit të një plaku të lig, i cili mendonte se çdo mëkat lahet me para.
Elementi më frikshëm që u kujtoi shqiptarëve kush është partia e Berishës ishte dhuna si identitet politik. Kudo ku ata shfaqën dhunë patën përmbysje nga bastionet e tyre.
Në Dibër, për shkak të akteve të dhunës të Xhelal Mziut, ku ai goditi fizikisht kundërshtarët dhe mbajti rrugët peng, PS përmbysi rezultatin. Nga Qark fitues i PD u kthye në Qark fitues i PS.
Në Lezhë, PD humbi një bastion për shkak të sjelljes agresive të Gjin Gjonit, që priste rast të rrihej me qytetarët dhe përfundoi nën hetim. Nga 4 me 3 për PD me tendencue normale, 5 me 2, u kthye në 4 me 3 për PS.
Në Devoll, bastion tradicional i PD, rezultati u përmbys për shkak të deputetit që sulmoi shoferë kamionësh dhe u soll si gangster.
Në Elbasan, ku PS merrte 8 mandate, një drejtues i PD deklaroi se “do hante të gjallë socialistët”, dhe PS përfundoi me 10 mandate.
Në Vorë, sjellja e Flamur Nokës që tërhoqi zvarrë komisionerë në mëngjesin e votimit, shkatërroi në mënyrë spektakolare gjithë imazhin e PD-së në opinion publik, duke bërë dëm dhe përtej Vorës.
PD u shfaq sërish si një parti e pagdhendur, arrogante, dhunuese — një etiketë që ajo përpiqej ta linte pas, por që vetë Berisha vendosi ta shpalosë në gjithë thellësinë e saj.
Së fundmi Berishizmi e mbyti PD-në përfundimisht kur e ripushtoi në emër të “demokracisë së brendshme” dhe “luftës ndaj Lulzim Bashës”. Primaret u kthyen në një farsë. Ata që garuan me besim u flakën nga listat e sigurta dhe u shtynë në zona ku nuk kalonin dot pragun. Lista përfundimtare e kandidatëve doli nga zyra e djalit të Sali Berishës, ku ose paguaje, ose bëheshe ushtar.
Në fund, Berisha vjen si humbësi më i madh në historinë e PD-së, dhe deklaron se nuk do të largohet, përveçse “kur ta marrë Zoti”.
Ripushtimi katërvjeçar nga Berishizmi është cikli fatal i vdekjes klinike të Partisë Demokratike. Mos fyeni inteligjencën e shqiptarëve duke shpikur arsye të tjera për këtë fund. Ish-PD u mbyt nga instinktet inçestuale të Sali Berishës — një njeri që më mirë pranon ta përdhunojë vetë PD-në, sesa ta shohë të jetojë pa të.
Mos fyeni demokratët duke i quajtur fajtorë për humbjen. Kundër PD-së kanë votuar vetë demokratët. Socialistët kanë marrë po ato vota që kishin. Revolta e demokratëve ndaj Sali Berishës është ajo që e ka dërrmuar.
Mos i quani injorantë — injorantët janë ata që e shndërruan PD-në në një karikaturë politike të pakorigjueshme.
Demokratët e lirë po provojnë tani frytet e betejës së tyre. Shikoni kush ka dal më i votuar në PD, për të kuptuar kë duandemokratët dhe kue do Berishizmi puer ushtarue. Demokratët që e identifikojnë veten me Berishizmin, janë duke qarë mbi kufomën politike të Sali Berishës. Dhe bashkë me të, mbi varrin e një partie që mund të kishte qenë shpresë.