Pas 7 muajsh zvarritjesh proceduriale nga avokatët e Sali Berishës, dhëndrit të tij dhe 3 të pandehurve të tjerë të aferës në dosjen “Partizani”, Gjykata e Posaçme e ka kaluar sot çështjen për gjykim.
Ish-kryeministri, aktualisht kryetar i PD-së që humbi zgjedhjet e 11 majit me rezultat të thellë dhe më të dobët se viti 2021 kur drejtonte Lulzim Basha, akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me shkeljet ligjore të tjetërsimit të trojeve të kompleksit “Partizani” në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe familjes, duke siguruar miliona euro fitime nga ndërtimi i pallateve.
Kjo çështje ishte sot edhe një temë analize dhe debati në “Studio Live”, ku u përballën dy juristët dhe avokatët Idajet Beqiri dhe Besart Logu, me argumente të kundërta.
Beqiri tha për moderatorin Arbër Hitaj në Report Tv se Berisha tashmë ndodhet në gjyq pas taktikës së zvarritjes dhe me veprën penale që ka konsumuar rrezikon deri në 12 vite burgim.
Kurse Logu e cilësoi kalimin e dosjes në gjykim si një vendim skandaloz, pasi gjyqtarja Irena Gjoka duhej përjashtuar nga procesi fillestar.
“Zvarritja mori fund. Gjykata nuk u tregua në lartësinë e ligjit. Ishte zvarritje nga Berisha e qëllimtë duke përdorur disa “vjega” për ta shtyrë në limite, edhe me ndihmën e Gjykatës, sepse edhe kjo e fundit kishte interesin e saj. Që gjyqtarja Gjoka është e dënuar është një shpifje e ulët, pa dokument zyrtar, ka një shkresë për këtë nga Greqia që provon se ajo nuk është e dënuar. E ka sjellë Greqia zyrtarisht. Çështja ishte kompetencë e Fjorela Davidhit dhe jo Irena Gjokës. Nëse Gjoka veproi politikisht, po Apeli pse e la në masë sigurie shtrënguese Berishën, po Gjykata e Lartë, po Kushtetuesja?”, tha avokati në studio.
Më tej ai parashtroi edhe çfarë përmban Kodi penal për akuzën e kreut të PD-së dhe marzhin e dënimit ndaj tij. Teksa theksoi se rrezikonte deri në 12 vite burg, Beqiri nënvizoi se Berisha dhe fmailja e tij janë bërë ndër më të pasurit me këto shkelje ligjore.
“Berisha po vete në gjyq të përballet me akuzën si i pandehur për korrupsionin pasiv dhe rrezikon deri në 12 vite burg, do shkojë në kokrrën e burgut. Kur Gjykata jep detyrim paraqitje për Berishën ju thoni “bravo” vendim i drejtë, kur e kalon dosjen për gjykim, e quani të paligjshme dhe skandaloze. Jeni me dy standarde. Për Gjokën nuk ka as akte dhe as dosje penale dënimi. Berisha, Shkëlzeni, Liria dhe Argita, njerëzit më të pasur”, tha avokati për Report Tv.
Kurse juristi pranë PD, Besart Logu, e cilësoi vendimin e kalimit të dosjes në gjyq si skandaloz.
“Vendim skandaloz, është shkelur kodi i procedurës penale. Gjyqtarja Irena Gjoka duhet të përjashtuar, sepse është e dënuar në Greqi. Ajo është e dënuar nga Gjykata e Janinës.
Provat janë absolutisht të pavlefshme dhe nuk merren parasysh. Gjoka është në kushte papajtueshmërie të ushtrimit të detyrës së gjyqtarit”, u shpreh ai.
Por avokati Beqiri i kujtoi se Gjoka ka dhënë vetëm masat dhe jo vendimin për kalimin e çështjes për gjykim.