Nga Jakin Marena/
Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama fitoi thellësisht zgjedhjet e 11 majit të këtij viti. Fitoi si brenda ashtu dhe jashtë vendit, dhe me votat e diasporës arriti në plot 83 mandate deputeti.
Si asnjëherë tjetër në historinë politike shqiptare të post-komunizmit, PS, e vetme, shënoi një rezultat të tillë të thellë. Dhe mori mandatin e katërt qeverisës rresht, një rekord më vete dhe ky.
Arsyet për një arritjen e një mandati të fortë nga ana e socialistëve më 11 maj, janë të shumta por po rendisim në mënyrë telegrafike disa më kryesoret, që bënë dhe diferencën në këto zgjedhje.
Në krye të herës shqiptarët janë masivisht në favor të integrimit të Shqipërisë në BE, dhe gjithë fushata e PS dhe kryetarit Edi Rama ishte mbështetur pikërisht në këtë frymë. Dhe jo rastësisht.
Kjo mazhorancë ka shënuar një rezultat të fortë në hapjen e negociatave, në hapjen e kapitujve që do të shënojnë mbylljen e tyre më 2027. Këtë nuk e thonë PS e Edi Rama, por e thonë zyrtarët më të lartë të Brukselit, si dhe krerët e shteteve më të fuqishme anëtare të BE.
Dhe me vizionin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE u realizua tërë fushata e socialistëve, duke i bindur shqiptarët për të hedhur votën e tyre për këtë qëllim. Me qëllimin e vetëm që ‘porta’ e hapur e BE për Shqipërinë të mos mbyllet, por të hapet katër kanatësh dhe shqiptarët të kenë në dorë pasaportën evropiane. Ky ishte sllogani socialist, i personifikuar në yllin e BE, i cili ‘ngjiti’ tek qytetarët, duke rritur shkallën e besueshmërinë se anëtarësimi në BE është afër..
Kjo u ‘certifikua’ dhe disa ditë pas zgjedhjeve, teksa krerët e 47 vendeve evopiane, u mblodhën në Tiranë në samitin politik, të organizuar nga Shqipëria dhe të moderuar siç di vetë nga Edi Rama. Një sukses i vërtetë dhe një paraqitje e fortë dhe dinjitoze e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Shqipëria zyri kreun e lajmeve në të gjithë Europën por dhe botën. Për mirë!
Shqiptarët panë live ‘parakalimin’ në ‘tapet’ të presidentit francez Macron, kryeministrit britanik Starmer, kancelarit gjerman Merz, kryeministres italiane Meloni, kryeministrit polak
Tusk e deri tek presidenti ukranias Zelensky, duke u bindur akoma më shumë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është shumë pranë, teksa Shqipëria është praktikisht qendër rajonale. Por dhe duke qëndruar në bindjen se vota e tyre më 11 maj nuk ka shkuar dëm, por ka shkuar në drejtimin e duhur.
Shqiptarët dëgjuan dhe panë me zë dhe figurë vlerësimet maksimale të liderëvë të BE dhe atyre europianë për ecurinë e Shqipërisë në këtë proces, në të gjitha aspektet, panë sjelljen si i barabartë mes të barabartëse dhe rolin e duhur mikpritës të kryeministrit Edi Rama, panë nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme që nga ato për bashkëpunim ekonomik e ushtarak e deri te financimi i rrugëve e hekurudhave, siç është dhe financimi francez për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Dhe mbi të gjitha qëndrimin e përbashkët të tyre: Shqipëria, gati për në BE.
Shqiptarët votuan masivisht për PS dhe për punët e shumta që janë kryer, peshën e madhe që po zë turizmi në Shqipëri, rritjen ekonomike, rritjen e pagave dhe pensioneve, ndryshimin e pamjes së Shqipërisë në tërësi, mbështetjen për bizneset e vogla e të mëdha, mbështetjen për rikthimin e diasporës e financimin e fitimit të tyre në ngritjen e bizneseve në Shqipëri, rritjen e investimeve të huaja dhe mbi të gjitha për stabilitetin e vendit. Pra votuan PS, si partinë e fjalës së mbajtur!
Nuk po përmend arsye të tjera se përse shqiptarët ia dhanë votën PS dhe Ramës, dhe e zhytën PD dhe Sali Berishën në një humbje rrënuese, me 50 mandate të fituara, në fakt për PD vetëm 43, pasi i kanë aleatët të tjerat, një rezultat negativ i paparë në këto 35 vite nga partia e parë opozitare në vend. E cila duket se e ka humbur kuptimin dhe rolin e saj, e ka humbur misionin.
Fushata e zgjedhjeve të 11 majit ka qënë fund e krye një kronikë e një humbjeje të paralajmëruar për Berishën, PD dhe koalicionin opozitar që ai udhëhiqte. Bashkë dhe me Ilir Metën që bënte fushatë nga qelia e burgut, i mbyllur aty nën akuzën për korrupsion. Ishte një fushatë statike, anemike dhe për më tepër fyeese për shqiptarët, pa arritur asnjëherë në nivelin e tyre.
Vetë Berisha i sanksionuar nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë si dhe shantazhin të drejtësisë, dhe nga Britania e Madhe po për të njejtat motive, shtuar këtu dhe akuzën për lidhje me njerëz të krimit, nuk gjeti derman as në këto zgjedhje me gjithë pajtimin si strateg fushate të LaCivitës një bashkëdrejtues i fushatës së Trump, i cili nuk dihet sa milionë dollarë ka marrë për këtë punë që kreu, por që nuk dha asnjë rezultat. Para të shkuara dëm!
Ndërkohë që Berisha, me marifetet e tij, pagoi lobues pranë Trump në shumën e 6 milionë dollarëve, 750 mijë dollarë direkt në dorë dhe është i dyshimtë burimi i këtyre parave, për t’i hequr ‘njollën’ e non grata-s pa asnjë rezultat. Madje nuk mundi të siguronte as dhe një vizë për të udhëtuar drejt SHBA dhe për të bërë ‘ta’ në Uashington sa për zgjedhje,
Thjeshtë dhe vetëm mori dy postime në rrjetin social, ku s’thuhej asgjë për heqjen e ‘non gratës’ apo për udhëtimin drejt SHBA, por shpjegohej rregullorja e DASH, se kur dhe në cilat kondita një i shpallur ‘non grata’ mund të merrte vizë të kufizuar për të udhëtuar përtej Atlantikut. Gjë e cila me sa duket nuk kishte të bënte me Berishën, që përfundimisht është zyrtarisht ‘non grata’ dhe nën administratën e re të presidentit Trump. Pa të drejtë revokimi të këtij vendimi. Udhëzues që mund ta gjesh kurdo në faqen zyrtare të DASH. Berisha e bleu shtrenjtë këtë ‘udhëzues’, 6 milionë dollarë, pa arritur ta marketojë dhe ta shesë tek shqiptarët. Kanë ecur para shqiptarët.
Berisha humbi për shumë arsye, por rrënimi i erdhi për shkak se në kushtet kur e ka shkatërruar vetë PD në disa copa, në kushtet kur është ‘non grata’ familjarisht në SHBA dhe Britani, dhe as kapelja alla-Trump që i rrasën në kokë nuk i bën punë, në kushtet kur realizoi një fushatë aspak të besueshme në mbarë vendin dhe në diasporë me të njejtët njerëz me të cilët ka humbur në vitin 2013, minus Lulzim Bashën që e ka dëbuar pa kthim nga PD, kur nuk dha asnjë alternativë të re vetëm shkrirjen e SPAK e kërcënimin me burg të zyrtarëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve kundërshtarë, humbja e Berishës në këto zgjedhje ishte e paralajmëruar.
Nuk mund të lëmë këtu pa përmendur dhe faktin se Berisha ishte në një gjendje të rënduar për shkak të moshës dhe rrallëherë gjatë fushatës ‘goditi’ me të parën në shenjë për të ‘gjetur’ datën reale të zgjedhjeve, 11 majin, por e fillonte me 12 maj, e vijone me 14 maj për të ardhur më pas te data e saktë. Pa përmendur këtu probleme të tjera me demencën, aq sa u bë ‘meme’. Për të ardhur pastaj tek 11 maji që s’ishte një humbje dosido, por një rrënim i PD dhe opozitës.
Në fakt të gjitha sondazhet e kishin paralajmëruar një humbje të tillë katastrofike të PD dhe opozitës, aq sa Berisha e lidershipi i PD kishin humbur qetësinë që para zgjedhjeve, me mediat dhe sidomos me sondazhet që po publikoheshin në disa media. Berisha dhe të tijtë u kthyen në arrogantë të pandreqshëm, kërcënues ndaj kundërshtarëve politikë, mediave, madje dhe popullit që nuk po i kuptonte fare, sipas tyre. Kush bënte një kritikë sado dashamirëse akuzohej se ishte në ‘borderonë’ e Ramës.
Fundja as vetë Berisha nuk besonte në një fitore të opozitës në zgjedhjet e 11 majit, pavarësisht se deklaratat maksimaliste ishin për të mbajtur me gajret militantët, për të frenuar bojkotin e mbështetësve në zgjedhje. Gjë që nuk e shmangu dot. Berisha e dinte si dreqi se PD do të humbë rëndë. Kjo u pa që në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë, ku strehoi të gjithë besnikët e tij, për t’i pasur më pas dhe përdorur ku t’ia lypë nevoja.
Në fakt Berishës dy elementë i duheshin në këto zgjedhje. Një grusht deputetësh për t’i përdorur si mburojë në Kuvend dhe ekrane televizive për hallin e tij personal me drejtësinë dhe SHBA-në e Britaninë. Por dhe për të ‘mundur’ sërish Bashën, gjë që nuk arriti pasi Basha shënoi rezultat të fortë në zgjedhjet e vitit 2021. Por Berisha ngushëllohet tashmë vetëm me faktin që e la Bashën jashtë Kuvendit. Këtë e arriti me sukses të plotë. Me ndihmën dhe të vetë Bashës.
Ndonëse ka deklaruar se nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse ka lëshuar pak pe duke e njohur venede vende aty ku ka fituar, pra nuk njeh humbjen përballë Edi Ramës që ka tejkaluar shumicën e cilësuar bashkë me aleaten PSD, me 86 (83+3) mandate, Berisha tashmë përballet me një humbje rrënuese e për pasojë dhe me statuin e PD, që sipas nenit ‘Basha’, kryetari që humb zgjedhjet parlamentare shkarkohet automatikisht. Prandaj Berishës i duhet alibia për humbjen, ajo e manipulimit, blerjes dhe vjedhjes së votës nga Rama, për të shmangur formalisht largimin nga drejtimi i PD.
Në funksion të krijimit të kësaj alibie Berisha udhëtoi drejt Brukselit kur krerët e 47 shteteve të Europës ishin në samitin e Tiranës të organizuar nga Rama, ndaj organizoi një protestë në një cep të Tiranës ditën e samitit, ku shënoi vetëm një arritje, përplasjen e Nokës, Palokës e Balliut me gazetarët. Ua nxorën gazetarëve dufin e humbjes në zgjedhje. Si gjithnjë! Madje i akuzuan dhe si shkaktarë të humbjes, bashkë me popullin.
Berisha i bën të gjitha këto përpjekje për të përbaltur zgjedhjet, jo se ka frikë se mund ta largojnë nga kryetar i PD. Këtu ai nuk ka frikë. Madje as që e mendon largimin. Nuk bëri gjithë atë luftë tre vjeçare për të shkatërruar PD dhe marrë pjesën më të madhe të saj e më pas dhe vulën e logon e saj për të ikur, nuk shpenzoi gjithë ato para me kuvende e gjëra të tjera, për t’i dhënë drejtimin e PD dikujt tjetër. PD e ka me ‘hipotekë’ ai, as formalisht nuk e bën më gabimin si me Bashën.
Duhet të jenë të bindur të gjithë se Berisha nuk lëviz nga drejtimi i PD derisa të jetë gjallë. Më pas sërish Berisha, ndoshta me emrin Argita do të jetë në krye të PD. E kanë pronë të veten këtë parti dhe nuk e lëshojnë. Pavarësisht se demokratët janë marrë peng, pa afat e pa asnjë mundësi për të shijuar pushtetin në të ardhmen sa të jetë Berisha në krye të PD.
Ndaj themi se të gjitha këto aludimet se Berisha do të ikë nga drejtimi i PD, madje dhe emisionet televizive enkas për këtë diskutim, në rastin Berisha nuk ‘pinë ujë’. Berisha e ka pronë të veten PD-në dhe s’largohet. Kaq e thjeshtë është. Alibitë për humbjen i duhen thjeshtë për të mbajtur grupin e deputetëve dhe një grup njerëzish si një ‘grup të gatshëm’ për hallet e tij personale.
Teksa PS menjëherë pas certifikimit zyrtar të rezultatit fitues të 11 majit, ka nisur dhe përgatitjet për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2027, e bën gjithmonë këtë e kjo është pranuar dhe nga lidershipi i kësaj partie që ‘ditën e fitores fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e radhës’. Që parashikohet se do sjellin dhe fitoren e projektuar për zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Thëllësia nuk dihet, por një mandat i pestë radhazi dhe me një shumicë të thjeshtë është një rekord. Pikërisht atëherë kur pret vendimin e Brukselit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Shqiptarët këtë ëndërr kanë, pasaportën evropiane, të cilën besojnë se e marrin vetëm me PS në pushtet dhe Ramën kryeministër.
Ndërkohë që në kushtet në të cilat gjendet PD dhe opozita, me një mbështetje popullore që sa vjen e zvogëlohet, me drejtuesit e saj njërin në burg për korrupsion dhe tjetrin në derë të burgut po për korrupsion, madje korrupsion të përgjakshëm, dhe sikur Berisha ta lërë tani kreun e PD, gjë që s’ka gjasa të ndodhë kurrë, dhe të fillojë përgatitjet për garat e ardhshme elektorale, e ka të pamundur opozita të mbledhë ‘kockat’ e thyera nga mbi 10 humbje radhazi, për të qënë gati në përballjen elektorale më 2027 dhe më 2029. S’ka asnjë shans, sidomos me Berishën kryetar.
Në rastin më të mirë, PD dhe opozita duhet të fillojnë që tani ‘stërvitjen’ për zgjedhjet e vitit 2033. Atëherë ndoshta rrethanat mund të krijojnë ndonjë lehtësi. Pasi dhe Berisha është 90 vjeç atëherë. Dhe mund të ketë shpresë se ai ‘të harrojë’ se është kryetar i PD. Duke shpresuar që demenca të bëjë punën e vet, ose i Plotfuqishimi e ka marrë në gjirin e vet, në amëshim, pavarësisht se ne Berishës i urojmë jetë sa më të gjatë. Për të mirën e familjes së tij, por dhe të shqiptarëve në tërësi. Pasi me të kryetar i PD, as në ëndrrën më të shndritshme kjo parti nuk sheh mundësi afrimi drejt pushtetit.