Nga Ben Andoni/
Zgjedhje të parakohshme, hetim të zgjedhjeve 2025, bandat pjesëmarrëse në zgjedhje, përdorimi i Administratës, Greva e Urisë janë disa nga akuzat dhe parashikimet që artikulohen pas 11 Majit nga krerët e PD-së, por në gojën e z. Berisha marrin peshën e autoritetit të partisë më të madhe opozitare. Që për fatin e keq është rrudhur edhe më shumë pas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2021.
Në kohën e mbetur deri në shtator do t’i duhet KQZ-së dhe të gjitha institucioneve që kanë lidhje me zgjedhjet për t’iu përgjigjur ankesave që nuk mbarojnë dhe shtohen nga ana e Selisë Blu. Problemi “komplikohet” kur mendon se: me shumë gjasë, PD-ja do të jetë në legjislaturën e re, ku mëtimi është se do të votojë vetëm për Ligjet e Integrimit, një udhë që Shqipërisë po ia blaton konjuktura evropiane dhe përshtatja shumë e mirë e Ekzekutivit të saj me politikën e Brukselit.
A do mundet PD-ja që ta fusë në axhendat evropiane problemin e zgjedhjeve, sipas saj, apo do të fitojnë kohë që t’u largohen analizave dhe të zgjedhin një strukturë të re Drejtuese? Për fatin e keq, deputetët më interesantë që përbënin formacionin opozitar ishin ata që ndodheshin në Listat e Hapura. Alimehmeti, Tabaku, Murrizi, Dogjani etj., në Tiranë dhe shumë të tjerë në rrethe, treguan se kishin shumë më tepër potenciale sesa ata që u vendosën në Listat e Mbyllura. Dhe, jo vetëm për shkak të kontributit por edhe frymën që kanë përcjellë dhe që iu kthye në bumerang.
Bash një pjesë e tyre do e merrnin goditjen edhe pas arritjes më të madhe që bënë në Primare, një nga institucionet më demokratikë të PD-së, por që kanë treguar se janë më shumë kozmetikë sesa përshfaqjen e vërtetë të parimeve demokratike. Mes të tjerave, rasti i deputetit Sula ka qenë flagrant në radhën e PD-së dhe jo vetëm. Gjithsesi, janë të shumë njerëzit e Kampit Blu që po kërkojnë sot analiza, para akuzave.
Dorëheqja e Berishës si institucion statusor është përjashtuar nga vetë kryetari, por edhe shumë nga njerëzit aktualë që ishin në listat e sigurta. Kurse për analizë mirëfilli nuk flitet ose me gjasë do bëhet thjesht për sy e faqe, për t’u justifikuar. Një gjë e tillë ndodhi edhe katër vite më parë në vitin 2021, kur PD-ja mblodhi 59 kandidatë.
U premtua për një analizë të thellë dhe me gjasë shumë te PD-ja të thonë se një gjë e tillë është bërë, por në fakt ajo nuk u bë asnjëherë, përderisa nuk doli me konkluzione të qarta. Mu ato që do mundësonin të luftonin për një Kod të ri, ku opozita të kishte më shumë kontroll; apo në mobilizimin më të madh të zonave, ku PD-ja po humbet dhe nuk e votojnë më.
Por, kjo analizë nuk ndodhi më 2021, ndërsa me gjasë nuk po ndodh edhe në 2025, duke e lënë PD-na thjesht një formacion politik që po rrudhet nën pushtetin e një maxhorance gjithnjë e më shumë cinike dhe të pamëshirë për zhvillimet demokratike në vend. Paçka se tek ajo ka rinovime dhe në këtë legjislaturë do të ketë një grupim krejt të ri tek PS-ja që pak parathotë për cilësi demokratike.