Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke denoncuar atë që e cilëson si një tentativë për “grabitje” të mandateve të fituara nga partia e tij. Në një mesazh të drejtpërdrejtë dhe sfidues, Shehaj deklaron se dy mandatet e Partisë Mundësia janë rezultat i votëbesimit të qytetarëve dhe nuk do të lejojë që ato të preken apo t’i rrëmbehen nga “partitë e vjetra”, të cilat sipas tij po përpiqen të shmangin ndryshimin. Ai thekson se çdo përpjekje për të manipuluar rezultatin përbën hipokrizi dhe e cilëson të papranueshme ndërhyrjen në vullnetin e votuesve.
Postimi i Shehajt:
Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.
Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.
Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!
E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet.