Nga Mero Baze/

Deputeti Nallbati është konfliktuar me një kamionist dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa, së bashku me vëllain e tij, ndalon para kamionit dhe i sulet shoferit. Ky i fundit nuk quhet Niko Peleshi dhe nuk është as kandidat i ndonjë partie kundërshtare. Është thjesht një shofer anonim, i rrahur nga një deputet sepse nuk i ka hapur rrugën.
Kjo nuk përbën ndonjë lajm të madh, pasi Nallbati është i njohur për sjellje të dhunshme. Në gjithë biografinë e tij politike ka vetëm episode dhune. Njeriu zakonisht bën më shpesh atë që di të bëjë më mirë, dhe Nallbati e ka gjetur mënyrën e vet për t’u bërë i njohur. Nuk ia vlen të merremi gjatë me të.
Ajo që bën përshtypje është përpjekja për solidaritet ndaj tij nga deputetë të tjerë të PD-së. Dëgjova një deklaratë nga Gazmend Bardhi që akuzon Niko Peleshin se ka ndërhyrë në polici që të arrestohet vëllai i Nallbatit. Në fillim mendova se këta po ankoheshin pse nuk ishte ndaluar në flagrancë vetë deputeti, por vetëm vëllai. Kjo do kishte një farë logjike, sepse nga pamjet duket qartë që dhuna vjen nga vetë deputeti. Por në fakt, ata po thonë se as vëllai nuk duhej ndaluar, pasi ishte në shoqërinë e një deputeti. Pra gjendja është edhe më e rëndë sesa mendohej.
Është e papërfytyrueshme që në një skenë agresive, ku protagonist është një deputet ndaj një qytetari të pambrojtur, të ngresh zërin për të mos prekur… agresorin. E në fakt askush s’po e prek ende.
Skena e dhunës së Nallbatit është më se e mjaftueshme që ai të merret i pandehur dhe të trajtohet sipas standardit me të cilin është trajtuar rasti i Arben Ndojës kur dhunoi deputetin Strazimiri vite më parë. Për më tepër që tani kemi dhe një ligj për dekriminalizimin.
Ndoshta Gazmend Bardhi ka përvojë pozitive nga vrasja në Elbasan, pasi nuk i hyri gjemb në këmbë, edhe pse gardisti i tij po kalbet në burg. Por kjo nuk do të thotë që, meqë ai ka shpëtuar nga një procedim penal që përfundoi me pasojë vrasjen, tani duhet të inkurajohet çdo deputet i PD-së të rrahë qytetarë rrugëve, me shpresën se nuk do t’i ndodhë gjë.
Për më tepër, edhe kur përpiqet të justifikohet, Nallbati thotë:
“Para së gjithash, unë jam njeri.”
Çka nënkupton, sipas tij, se rrahja është një refleks njerëzor më parë se funksioni i të qenit deputet. Pra, ai e konsideron detyrë që të rrahë.
Duhet t’ia sqarojë dikush se nuk është detyrim të rrahësh qytetarët në rrugë. Mund të mos i ndihmosh, por nuk është e nevojshme t’i rrahësh.
Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso janë njerëz që i njohin ligjet. Kaq gjë mund t’ia thonë. Përndryshe, mund të supozojmë se në çdo fushatë, PD ka një zakon: të vrasë dikë në javën e fundit. Dhe ndoshta këtë radhë personi i përzgjedhur për këtë mision është Nallbati — por ne ende nuk dimë gjë. Po të jetë kështu, atëherë vërtet është mbrapa me detyrën që i kanë dhënë.