Nga Sara Mila/
Pas 10 ditësh ku portale dhe studio televizive kanë hedhur baltë pa kriter mbi mua, familjen dhe gjithçka që përfaqësoj, njëri prej tyre kaloi vijën e kuqe. Ashtu siç e prisja.
Jo vijën e baltës së zakonshme, për ato akuza të vjetra të humbësve, unë as që e lodh veten. Por këtë herë ndodhi ajo që i druhesha më shumë: një linçim publik, jo politik, por personal.
Si vajzë, si bashkëshorte, si nënë.
Ky dhunues publik ka emër: Andi Bushati.
Në strofullën e tij të përnatshme, ai lëshon helm të përzier me frustrime personale që as ai vetë s’i kupton nga i vijnë. I fsheh pas arrogancës së një pseudointelktuali që kërkon vëmendjen që s’e ka pasur kurrë.
Sot, për fat të keq, e fitoi. Kjo sepse preku diçka që është më e madhe se unë: merakun tim për vajzat që guxojnë të hyjnë në politikë.
Unë e kam pyetur veten dhe e kam siguruar që përkundrejt asaj çka unë jam, s’ka And që më intimidon. Por pyetja më e madhe është: Deri kur duhet të jetë kështu?
Edhe sa kohë vajzat duhet të përtypin baltën që hedhin And-at?
Edhe sa studio duhet t’i zhveshin nga dinjiteti për t’i bërë “virale” në këtë mënyrë?
Edhe sa adoleshente duhet të vrasin veten për shkak të këtij bullizmi të institucionalizuar?
Edhe sa ëndrra vajzash duhet të mbyllen në heshtje që të mos bëhen objekt krahasimi, vlerësimi, talljeje, turpi?
Unë e kam zgjedhur pse jam në politikë:
Jo për t’u marrë me And-at. Por për t’i dhënë fund And-ave.
Për vajzat që sot më ndjekin dhe e di që jeni shumë, dua t’ju them:
Mos lejoni asnjë Andi t’ju fikë shkëlqimin. Asnjë të ulë ritmin. Asnjë të bëjë të ndiheni më pak se ç’jeni. Asnjë të guxojë t’ju trajtojë si trup, si objekt, si pako krahasimi.
Për vajzat me të cilat nesër do ndaj Parlamentin – majtas apo djathtas – e kam një thirrje:
Kjo gjuhë urrejtjeje, ky bullizëm mediatik, duhet të marrë fund. Fjalët që shkatërrojnë, nuk mund të quhen më mendim.
Ligji duhet t’i ndalojë. Jo vetëm morali. Dhe ligjin, qytetarët na kanë besuar ta bëjmë ne.
Për vajzën time:
Kur të rritesh dhe të lexosh këto gjurmë të helmit që mbeten në internet, dua ta dish: Mami s’heshti. Mami nuk u tremb. Dhe nuk u përkul.
Kur të vijë koha jote, di që And-at të jenë vetëm hije të së shkuarës: njerëz pa ndikim, pa ideal, pa busull.
Unë jam vajzë, jam 29 vjeç, dhe jam në politikë për të dëshmuar që lufta për dinjitet bëhet me dinjitet. Dhe meqënëse si burrë nuk zgjidhi njeri gjë, këtë punë do ta bëj si grua. Dhe ju e dini ç’bëhet po iu fut një grua një pune. Dhe ti And e di mirë prandaj ke frikë nga “buallica”.