Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në Kukës, ku një efektiv i Policisë Rrugore është përfshirë në një konflikt fizik me disa persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën që të çon në fshatin Pobreg.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, “Inspektor Q.D, punonjësi i Policisë Rrugore në DVP Kukës, ka njoftuar se në rrugën për në fshatin Pobreg, është konfliktuar fizikisht me disa persona për shkak të detyrës.”

Polici i përfshirë në përleshje ka paraqitur kallëzim pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, ndërkohë që grupi hetimor ka nisur menjëherë verifikimet në terren. Nga veprimet paraprake, është arritur të identifikohet njëri prej personave të përfshirë në incident. “Nga veprimet e para është identifikuar njëri prej personave që punonjësi i Policisë ka debatuar për shkak të detyrës ditë më parë”, thuhet në njoftim.
Policia thekson se janë duke u kryer kontrolle për kapjen e personit të identifikuar, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. “Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, së bashku me grupin hetimor po punojnë për identifikimin dhe të personave të tjerë, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njofton policia.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e efektivëve në terren, ndërsa pritet një reagim më i gjerë nga strukturat përkatëse në lidhje me incidentin.