Nga Mero Baze/
Nëse dikush lavdëron një avokat dhe thur himne për të, e lidh gjithmonë me vështirësinë e çështjes që ka zgjidhur. Fjala vjen, ndodh që dikush thotë “filan avokat më shpëtoi nga dënimi me vdekje djalin” apo “filan avokat më ka shpëtuar nga burgu i përjetshëm, kur nuk kishte asnjë shpresë”.

Vetëm Sali Berisha lavdëron një avokat që e paguan 6 milionë dollarë, por nuk thotë nga çfarë do ta shpëtojë ky avokat.
Sot është përpjekur të justifikojë pagesën 6 milionë dollarë për një avokat amerikan, si një shërbim të ofruar për Partinë Demokratike dhe jo si një porosi të saj. Në përpjekje për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore, Berisha e bëri edhe më të qesharake justifikimin e pagesës.
Domethënë, sipas Berishës, Partia Demokratike nuk është palë, por është marrëse shërbimi, ndërkohë që ka firmosur si palë me të. Nuredin Seci është thjesht një garantues që, nëse nuk i paguan Berisha, do t’i paguajë ai. Madje PD i ka paguar ndërkohë 750 mijë dollarë.
Por pasi i tha gjithë këto kotësira, përsëriti faktin që ai është një nga avokatët më të mirë në botë dhe se ai do të shpëtojë Shqipërinë.
Nëse Shqipëria ka ndonjë problem me SHBA-në, ajo nuk e zgjidh dot me avokat, por e zgjidh me Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit.
Po ashtu, nëse opozita shqiptare ka ndonjë problem me SHBA-në, do ta zgjidhë atë me Departamentin e Shtetit apo përfaqësinë diplomatike të SHBA-së.
Avokatët merren për çështje individuale dhe konkrete.
Në këtë rast, avokati është marrë për të zgjidhur çështjen ligjore dhe politike të Sali Berishës me SHBA-në, e cila nuk është as çështje e opozitës dhe as çështje e popullit shqiptar, por çështje e familjes Berisha.
Pikërisht këtë nuk e thotë dot Sali Berisha në opinion publik, pasi e di që e neverit çdo demokrat kur dëgjon që duhet të paguhen 6 milionë dollarë për të pastruar biografinë e tij kriminale.
Dhe ka gjithë pasditen që flet për një avokat të shquar, por nuk tregon çështjen që do të mbrojë avokati.
Çështjet politike nuk mbrohen me avokatë, por me politikë dhe me marrëdhënie politike.
Çështjet diplomatike po ashtu mbrohen përmes diplomacisë. Me avokat mbrohen vetëm çështjet penale dhe civile.
Në këtë rast, ai është paguar t’i heqë Sali Berishës dhe familjes së tij ndalimin për të shkuar në SHBA, pas sanksionimit “non grata” nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një çështje familjare. Nuk është as çështje opozitare, as çështje kombëtare dhe nuk ka nevojë as për demokratë dhe as për patriotë. Ka nevojë për para – që Berisha i ka me thes, por nuk i ka në bankë. Dhe gjithë kjo rrëmujë fjalësh vjen nga fakti që nuk tregon dot lekët që ka këtu, dhe po i pastron përmes një elektricisti tropojan në SHBA.
E vetmja gjë pozitive nga konferenca e tij për shtyp ishte fakti që ishte i trembur nga marrëveshja dhe fliste sikur të kishte arra në gojë, duke rrotulluar fjalët që të ishin sa më pa kuptim të mundshme. Kjo do të thotë se e ka kuptuar që ka hyrë në spiralen e një çështjeje penale dhe po mendohet kujt t’ia faturojë përgjegjësinë penale. Deri tani kanë dalë dy vullnetarë: Flamur Noka dhe Nuredin Seci.
Por pavarësisht se ata mund të marrin pasojat ligjore të kësaj aventure, Berisha qysh tani e ka marrë mbi shpinë dënimin moral dhe politik të këtij akti, pasi ka dalë zbuluar para shqiptarëve si një hajdut që po përpiqet të blejë të shkuarën e vet me para të pista.
Nuk di sa do të dënohet Flamuri apo Nuredini, por Berisha e ka marrë dënimin paradhënie nga kjo histori.
Tani, meqë e ka lënë avokatin pa çështje, le ta angazhojë për të sulmuar zgjedhjet e 11 majit. Të bëjë një punë që të mos marrë 6 milionë kot. Se kjo fjalia që “PD pranon shërbimin”, i ngjan asaj historisë së policit që arrestoi në hotel dikë që ishte me një prostitutë, dhe ai tha: ‘S’kam faj unë, kam pranuar shërbimin që ka paguar një shoku im, ma bëri dhuratë për ditëlindje.’”