Nga Hermes Kafexhiu/
Ka një gjë që nuk përputhet në zërin e ashpër të Andi Bushatit. Një zë që është i zhurmshëm kur i do vetë, por i heshtur kur i duhet vendit. Kritika ndaj sistemit është legjitime. Revolta ndaj një opozite të degraduar është e justifikuar. Por përse ky standard i dyfishtë? Përse e shqetëson kaq shumë Sara Mila, apo Helena Kace? Përse një ndjeshmëri kaq e përqendruar vetëm kur bëhet fjalë për një vajzë të re, për një grua në politikë?
Nuk e dëgjuam Bushatin të revoltohej me të njëjtën ashpërsi kur Flamur Noka, një nga reliket më të plakura të PD-së, u rikthye si “drejtues” me të njëjtat fjalë, të njëjtat batuta, të njëjtin nihilizëm. Ku ishte Bushati kur Gazment Bardhi shpallej si shpëtimtar, ndërkohë që për vite të tëra ka qenë përkrahës i një loje të ndyrë që shkatërroi çdo besim tek opozita? Ku ishte revolta e Bushatit kur Luciano Boçi shpërndante slogane si në vitin 1997, ndërsa Partia Demokratike zhytej në një greminë elektorale? Ku është ajo ndershmëri kritike për Albana Vokshin, që nuk ka prodhuar asnjë ide politike përtej një antagonizmi të thatë dhe emocional?
Përse nuk i sheh këta, Andi? Përse nuk i përmend Andi Mustafajn që u la jashtë listave apo Grigels Mucollarin që u la në të hapur nga të njëjtët drejtues të PD-së që ti nuk i prek me emër? Përse Andi, përse nuk thua një fjalë për bunkerin dhe kapterët e mbyllur brenda ?
Përse nuk të shqetëson fakti që PD, një parti që ka nevojë për ringritje dhe ide të reja, përjashton zërat e rinj që përpiqen të sjellin risi, ndërkohë që mban me fanatizëm fytyra të dështuara e të konsumuar?
Por më shqetësuesja është se sulmi i Bushatit nuk është thjesht kundër sistemit. Është personal. Është selektiv. Ai e quan “buallicë” një vajzë 29-vjeçare që, pavarësisht gjithë akuzave, ka marrë një numër rekord votash. Dhe në vend që të kërkojë hetim, verifikim, drejtësi, ai zgjedh përqeshjen, fyerjen, talljen. Nuk është kjo gjuha e një njeriu që pretendon të kërkojë standarde. Është gjuha e dikujt që e ka më shumë hallin me simbolikën që përfaqëson një vajzw si Sara Mila, sesa me të vërtetën politike.
E vërteta është që Sara, Helena dhe të ngjashmet me to nuk janë problem për sistemin. Janë problem për Bushatin. Sepse prania e tyre e kompromenton narrativën e vetme që ai ka ndërtuar, që gjithçka është e zezë, që s’ka shpresë, që nuk ka asnjë fytyrë të re që ia vlen të dëgjohet.
Po, sistemi është i kapur. Po, PS është e mbushur me lidhje të dyshimta. Po, PD është kthyer në një teatër grotesk. Por pse vetëm gratë e reja, vetëm të rinjtë që guxojnë, duhet të jenë objekt i mllefit të pafund të Andit?
Në vend që të shfryjë mllefin mbi një “buallicë” që e ka frikë se mos prish gjuhën e burrave që s’ndryshojnë kurrë, do të ishte më e ndershme që Bushati të përballej me pyetjen thelbësore: “Pse ka frikë nga ndryshimi? Pse i trembet një opozite ndryshe, një politike ndryshe, një vajze që nuk i flet me tone burash?”
Sepse ndoshta aty e kupto, që nuk është më pjesë e zgjidhjes, por vetëm një reflektim i asaj që ka qenë problemi për kaq shumë vite.