Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën për liri të ish-gjyqtares, Pajtime Fetahu. Kjo e fundit akuzohet si pjesë e grupit kriminal të Suel Çelës. Në kërkesën për lirim nga qelia të dorëzuar nga avokati, ish-gjyqtarja pretendonte deklarimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit. Vendimi për rrëzimin e kësaj kërkese u dha nga gjyqtari Erjon Çela.

Operacioni i SPAK

Në fund të vitit 2024 SPAK goditi organizatën kriminale të Suel Çelës, duke lëshuar 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. Prokuroria e Posaçme tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas SPAK me paratë e fituara nga trafiku, banda e Çelës ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit. Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias.

Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.