Ka nisur sot seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Plumbi i artë”.

Në rend ditë ishte parashikuar edhe nisja për herë të parë e dëshmisë së bashkëpunëtorit tjetër të drejtësisë, Erion Alibej, i cili akuzohet edhe si kreu i një organizate kriminale në Elbasan, porositëse e atentateve me pagesë për hakmarrje dhe motive që lidhen me krimin e organizuar, tek grupi i killerave që drejtonte i penduari Nuredin Dumani.

I njohur edhe me nofkën “Krymi”, ai nisi të fliste për njohjen me Dumanin për herë të parë në vitin 2020, teksa tema e parë e bisedës ishin dyshimet se Nuredini dhe vëllai i tij kishin marrë pjesë në atentatin e Bradasheshit, ku Erionit iu vra i vëllai, Endrit Alibej, xhaxhai Arben Dylgjeri dhe një mik turk. Alibej u shpreh në GJKKO se vetë Dumani kishte kërkuar që ta takonte në vitin 2020.

“Ai kërkoi të më takonte pasi dëgjoi se kisha hedhur fjalë që jepja 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës”, tha ai mes të tjerash në dëshmi.

Ai foli për të kaluarën e tij penale, aktivitetin shkollimin dhe njohjen me Nuredin Dumanin, i penduari tjetër i drejtësisë që ka zbërthyer në dosjen “Plumbi i arë” aktivitetin e organizatave kriminale.

“Betohem që do them të vërtetën, jam me arsim të lartë, kam qenë i dënuar në Itali, ndërsa në Shqipëri me dëshmi penaliteti rezultoj i pastër”, e nisi ai dëshminë.

Dhe më tej shpjegoi kërkimet që bëri për Dumanin para se ta takonte, duke i shpjeguar edhe se kush ishin vrasësit e familjarëve të tij (vëllait, dajës dhe kunatit turk), më 29 dhjetor 2018, në Bradashesh të Elbasanit:

“Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion, erdhi tek pallati në një shpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim, për 2 orë e 48 minuta, e regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin, më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më thotë që është në dijeni dhe Festim Qoli. I thashë OK. Nisa bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutorët e familjarëve të mi”, u shpreh Alibej.

Ai tregoi edhe se çfarë i tha Nuredin Dumani për Dorjan Shkozën si pjesëmarrës në këtë atentat dhe njohjet e vëllait të tij Endrit Alibej me Hajdar Çopjan, të cilin e kishte ndihmuar më 2012 në Holandë që të strehohej e të niste punën në narkotrafik.

“Unë i tregova internerarin e makinës që ishte qëlluar nga të dyja anët, më tha ka qenë dhe një Dorjan Shkoza dhe ka qenë me makinë tjetër dhe ka zbritur duke qëlluar tek ana tjetër. Nuredini kishte hall se Dorjan Shkoza po e ndiqte atë dhe dashnorin me e ekzekutuar, Dumani më tha se kishte probleme vetë me ata, un i thashë më intereson vetem Talo Çela, unë e dija që financuesit e urdhëruesit ishin në Dubai, vëllezërit Çopja, miq të hershëm tanët”, tha Alibej.

Alibej tregoi se Suel Çela i kishte vjedhur në Itali Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, kurse ky i fundit i detyrohej gjysmë kg drogë borxh Arjan Spahiut. Alibej dëshmoi edhe se si e ndihmoi Suel Çelën që të arratisej nga arresti shtëpiak në Itali pas arrestimit për drogë.

“Unë kisha shumë kohë pa folur dhe takuar Suel Çelën për shkak të një hatërmbetjeje në lidhje me Arjan Spahiun, për trafikun e drogës. Një ditë më tha Endriti po vjen tek shtëpia Sueli me Sokol Sanxhaktarin, unë nuk doja t’i takoja, Sueli e filloi hershëm trafikun në Itali, ku dhe u arrestua, në Itali Sueli i vodhi Hajdar Çopjas 2 kg kokainë, Sueli shoqërohej me Klodian Çopjan, që Hajdari e kishte kushëri të dytë. E ndihmova Suelin edhe të arratisej nga arresti shtëpiak në Itali…”, vijoi ai.

Më tej ai rrëfeu edhe se si e ngriti punën atje, larjen e borxheve dhe biznesin e madh ilegal të drogës që ngritën Çopjat në Angli.

“Në Angli shkova dhe tek shtëpia e Franc Çopjas, që rrinte në Totenham, e kontrollonte punën me telefon, shkova te një agjenci për shtëpi e mora dhe fillova të punoj shumë mirë, arrita të laj një borxh shumë të madh që kishte Endriti në atë kohë, punën e ngrita të mirë dhe të madhe, saqë rashë në sy dhe po m’u përmendte emri, ishte kohë krize. Në Angli pas disa kohësh erdhi një Ilir Lloshi, që bënte organizimin e punës për Hajdar dhe Franc Çopjan, më tha që Francit i ndodhi një problem me transportin e kuajve të drogës e ju kap një ngarkesë”, u shpreh Alibej në GJKKO.

Erion Alibej ka rrëfyer edhe episodet e periudhës kur nisën intrigat dhe konfliktet mes palëve, që tani janë shndërruar në dhjetëra viktima e ngjarje kriminale, që nga 2018. Shkaku kryesor ishin humbjet apo grabitjet e ngarkesave me drogë brenda dhe jashtë vendit.

“Në Angli Franc dhe Hajdar Çopjas u grabitën 50 kg drogë në bazën e tyre, dyshonin tek anglezët. Kur u ktheva në Elbasan, në qytet filluan intrigat, fjalët sikur Sueli kishte shtyrë një person me plagos dajën tim. Sueli është marrë gjithmonë me aktivitet kriminal, përveçse me drogë dhe në këtë periudhë kishin përplasje me grupin Çapja. Një konflikt i hapëm i fiseve, me Ardian Çapjan, Florenc Çapjan e Bledar Muçën. Shkuam tek shpia e Suelit, ishte dhe e ëma e vet aty, pasi u ulëm, Sueli i tha Endritit na ka ndodh një problem me punën e rrugës që kishin për një ngarkesë dhe na e kanë bërë ca rumunë që janë të Hajdar Çopjas, po ai e mohon dhe thotë që ka lidhje Endriti dhe për këtë doja të të pyesja. Endriti qeshi ironikisht dhe i tha s’kam lidhje me këtë punë”, rrëfeu ai mes të tjerash.

Në nisje të seancës ka folur edhe i pandehuri Petrit Qoli, i cili pretendoi edhe një herë pafajësinë, duke sulmuar Dumanin për dëshminë e dhënë.

“Kam 3 vjet në burg pa parë mbesat e mia. E nderuar gjykatë, më mirë 10 Nuredin Dumani në Dubai, se një i pafajshëm në burg!”, u shpreh ai mes të tjerash.

Dëshmia e Dumanit tre vite më parë zbërtheu të paktën 8 organizata kriminale në dosjen “Plumbi i Artë”, me të paktën 32 të akuzuar, pjesa më e madhe të arrestuar dhe disa prej krerëve të grupeve ende në arrati, të fshehur në Dubai apo pa gjurmë.

Dumani ka rrëfyer për aktivitetin kriminal me pagesë dhe porositë që merrte nga platformat e koduara si SKY ECC, Matrix apo BQ, duke zbardhur edhe 3 fjalëkalimet që përdorte, të cilat ia ka vënë në dispozicion SPAK për të dekriptuar bisedat, fotot, filmimet, që tashmë janë edhe si prova materiale në proces.

Dumani ka rrëfyer njohjet dhe bashkëpunimin me Suel Çelën, mikun e kthyer në armik Talo Çela, porositë nga Erion Alibej, si dhe të organizatave të tjera.

Ndërkohë që pritet të nisë për herë të parë edhe dëshmia e bashkëpunëtorit tjetër të drejtësisë, Erion Alibej, i cili akuzohet se për të marrë hakun e vëllait të vrarë më 2018 në një atentat në Bradashesh të Elbasanit, bashkë me xhaxhanë dhe një mik turk të familjes, porositi disa atentate.