Policia e Tiranës përgënjeshtron kandidatin e PD-së Belind Këlliçi për pretendimet dhe akuzat e hedhura mbrëmjen e sotme se në një zyrë elektorale të PS shpërndaheshin para për vota, në zonën e “Petro Ninit”.
Edhe pse kishte hyrë me forcë brenda me grupin e tij, ai ka akuzuar deputetin Erion Braçe dhe mbështetësit se po blinin vota.
Por duket se e vërteta ka qenë ndryshe. Vetë deputeti Braçe e sqaroi me një video-postim se e kishte lejuar Këlliçin të kontrollonte dhe kishte gjetur vetëm qese me kokoshka.
Por duket se ai ka vijuar akuzat dhe Policia së bashku me prokurorin e gatshëm të SPAK kanë kryer veprimet e rastit me hetime paraprake dhe verifikime, duke marrë edhe denoncimet e palëve.
Nga kontrolli rezultoi ajo që deklaroi edhe deputeti Braçe, se nuk u gjet asgjë përveç kokoshkave. Deputeti tha se do e kallëzonte Këlliçin dhe “bandën e tij”, teksa Policia e Tiranës e konfirmoi ekzistencën e kallëzimit të ligjvënësit socialist ndaj Këlliçit dhe të tjerëve, për ushtrim force.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshme. Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike”, sqaron policia dhe SPAK për këtë rast
Reagimi i Policisë së Tiranës, që përgënjeshtron Belind Këlliçin:
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm pranë SPAK, janë duke kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, për dokumentimin e një rasti të pretenduar sot, më datë 11.05.2025, në një ambient në rrugën “Marko Boçari”, Tiranë, ku është pretenduar për veprimtari të paligjshme zgjedhore.
Rreth orës 17:50, pas një njoftimi të bërë nga Belind Këlliçi, përfaqësues i Partisë Demokratike, shërbimet e Policisë shkuan në vendin e pretenduar dhe konstatuan disa shtetas pranë dhe brenda një ambienti privat, që sipas kallëzuesve funksiononte si zyrë elektorale, pa shenja identifikuese, për Partinë Socialiste.
Gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshme. Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar.
Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë. Në përfundim të veprimeve procedurale, do të jepet një njoftim i plotë mbi rezultatet e hetimit”.