Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim në Institucionin e Presidentit Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku marrin pjesë ushtarakë nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Turqisë, Italisë, Hungarisë, Kroacisë, Kosovës, si edhe përfaqësues nga institucionet e sigurisë kombëtare.

Presidenti i Republikës e vlerësoi Kursin e Lartë për Studime të Sigurisë dhe Mbrojtjes për qëllimin që ai ka përtej natyrës akademike, siç është forcimi i marrëdhënieve mes ushtarakëve nga vende të ndryshme të NATO-s dhe atyre partnere që i shërbejnë fuqizimit të lidhjeve të vendeve të cilave u përkasin. Duke folur për zhvillimet gjeostrategjike dhe sfidat e paqes dhe të sigurisë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e rritjes së investimeve në fushën e mbrojtjes.

“Institucionet shqiptare, – u shpreh Presidenti i Republikës, janë të angazhuara për të vijuar me rritjen e shpenzimeve në mbrojtje”. Kreu i Shtetit i njohu studentët me politikat e Shqipërisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, të bazuara në bashkëpunim, marrëdhënie dy e shumëpalëshe, në forcimin e miqësisë. “Ndërtimi i urave dhe jo i mureve, – u shpreh Presidenti Begaj, janë në themel të politikës së jashtme të Shqipërisë, plotësisht e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian”.

“Si shqiptarë, ne besojmë në promovimin e paqes, stabilitetit, mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm për vendin tonë, për fqinjët dhe për të gjithë miqtë tanë, u shpreh Kreu i Shtetit në këtë takim.

Gjatë bashkëbisedimit me kursantët, Presidenti Begaj iu përgjigj interesimit të tyre në lidhje me sfidat për sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar faktin e rizgjimit të vëmendjes së vendeve të Evropës ndaj rajonit me nisjen e agresionit rus në Ukrainë.

“Unë mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me të njëjtat sfida, sfidat për një sistem demokratik më të konsoliduar, të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të forcimit të institucioneve, rritjen e zhvillimit ekonomik, përshtatjen me agjendën e gjelbër, si dhe çështjet e komunikimit dhe përballja me disinformimin. “Që të arrijmë suksesin në këto fusha, duhet të punojmë së bashku në unitet dhe solidaritet”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

Gjatë këtij takimi, Këshilltarët e Presidentit Begaj i njohën studentët me funksionin e Institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe rolin e Kreut të Shtetit në një Republikë Parlamentare dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.