Pas goditjes së rrjetit të madh të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, Presidentja e Komisionit Parlamentar Antimafia në Itali Chiara Colosimo ka përshëndetur bashkëpunimin mes autoriteteve italiane dhe SPAK në Shqipëri, duke e cilësuar operacionin si një shembull të shkëlqyer të sinergjisë ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar.
Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me mbështetjen e Interpolit, Policisë Shqiptare, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe nën koordinimin e Eurojust-it në Hagë. Hetimet u drejtuan nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Tiranë dhe Drejtoria Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë.
“Ky është një model i përkryer bashkëpunimi mes forcave ndërkombëtare të rendit, që tregon se fenomenet globale si krimi i organizuar kërkojnë domosdoshmërisht përgjigje globale,” – deklaroi Presidentja e Komisionit Antimafia në Parlamentin Italian.
Ajo përgëzoi hetuesit dhe punën e tyre në terren, të cilët sipas saj, mundësuan realizimin e një përgjigjeje të fortë institucionale kundër trafikut të kokainës dhe heroinës – aktiviteti kryesor i organizatave kriminale në nivel botëror.
Operacioni në fjalë çoi në 51 urdhër-arreste dhe zbuloi një rrjet të gjerë kriminal me lidhje mes Shqipërisë dhe Italisë, përfshirë edhe elementë të mafies italiane.
Reagimi i plotë:
Operacioni i këtij mëngjesi kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave, i kryer nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe Autoritetet Shqiptare, me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe Policisë Shqiptare, nën urdhrat e Drejtorisë së Antimafias së Barit dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, me koordinimin e Eurojust (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë, përfaqëson një model të përkryer të sinergjisë midis forcave të ndryshme ndërkombëtare të policisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Kjo është një provë e qartë se fenomenet globale kërkojnë gjithmonë, si në këtë rast, përgjigje globale.
Një duartrokitje dhe falënderim i veçantë për hetuesit që, përmes punës së tyre në terren, mundësuan realizimin e kësaj përgjigjeje të shkëlqyer të institucioneve kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, që mbetet, pa dyshim, aktiviteti kryesor i organizatave kriminale në mbarë botën.