Bashkëshorti i kandidates së PD, Elda Hoti, Ladi Ndoja është arrestuar pas një incidenti të ndodhur në Rrëshen. Së bashku me të është arrestuar edhe Amarildo Jushi.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç drejtues automjeti dhe A. D. pasagjer, të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për bllokimin e rrugës në lagjen “Donaj” në Rrëshen dhe konfliktin verbal mes këtyre shtetasve, kanë ndërhyrë, duke shoqëruar palët në Komisariat dhe kanë kryer veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë.
Në vijim të veprimeve të kryera, pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në automjetet e dy të arrestuarve shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash, të dyshuara si lista zgjedhësish, ndërsa në automjetin e shtetasit R. K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Gjithashtu, po në vijim të veprimeve pas kryerjes së testit të alkoolit të tre drejtuesve të automjeteve rezultoi se Ndoja, drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndërsa dy drejtuesit e automjeteve të tjera rezultuan se nuk kishin konsumuar alkool.
Ladi Ndoja, 45 vjeç, banues në Mirditë akuzohet për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”
Kurse Amarildo Jushi, 25 vjeç, banues në Mirditë, akuzohet për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.