Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka udhëhequr përkujtimet e Ditës së Fitores në Rusi me një paradë në Sheshin e Kuq dhe siguri të shtuar pas disa ditësh sulmesh ukrainase që synonin kryeqytetin.
Presidenti kinez Xi Jinping iu bashkua Putinit, ndërsa presidenti rus u tha mijëra ushtarëve dhe më shumë se 20 udhëheqësve ndërkombëtarë se Rusia i mban mend mësimet e Luftës së Dytë Botërore.

Putini e përdori fjalimin e tij për ta lidhur luftën me pushtimin e plotë të Ukrainës që ndodhi sot dhe tha se e gjithë Rusia qëndronte pas asaj që ai e quajti “operacion ushtarak special”, që tani ka hyrë në vitin e katërt të tij. Për herë të parë, një kolonë kamionësh që transportonin dronë të ndryshëm luftarakë morën pjesë në paradën e Ditës së Fitores, me sa duket për shkak të përdorimit të tyre në shkallë të gjerë në Ukrainë.
Një armëpushim i njëanshëm tre-ditor u njoftua nga Rusia për të përkuar me ngjarjen luksoze të 80-vjetorit, të cilën Ukraina e hodhi poshtë si një “shfaqje teatrale”. Kievi e ka cilësuar armëpushimin si një farsë, duke akuzuar Rusinë për nisjen e mijëra sulmeve që kur ai hyri në fuqi në mesnatë të mërkurën. Rusia thotë se e ka respektuar armëpushimin dhe akuzon Ukrainën për qindra shkelje.
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se kishte shpresa të mëdha se një armëpushim i plotë mund të arrihej që këtë fundjavë. Armëpushimi tre-ditor i Rusisë do të përfundojë të shtunën në mbrëmje, por Merz tha se mund të zgjatet në 30 ditë dhe “topi tani është tërësisht në fushën e Moskës”.
Masa të rrepta sigurie dhe kufizime ishin në fuqi në qendër të Moskës të premten, ndërsa Rusia shënoi fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste.
