Vendimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese i marrë më 22 prill 2025 në favor të gazetarit Elton Qyno është zbardhur i plotë. Bëhet fjalët për rastin e padisë së tij për vendimet e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pajisjeve elektronike në pronësi të tij, kontrollin në shtëpi dhe kontrollin personal pas një hetimi të nisur nga SPAK për nxjerrje të sekretit hetimor.

Në vendim thuhet se Gjykata konstaton se vendimet gjyqësore dhe të prokurorisë, që kanë lejuar kontrollet dhe sekuestrimet, nuk kanë vendosur për themelin e akuzave, por janë vendime të ndërmjetme të procedimit penal në funksion të mbledhjes së provave për faktin penal.

Gjithashtu Gjykata çmon se ligjvënësi duhet të vlerësojë nëse duhet plotësuar legjislacioni procedural penal për t’i ofruar individit mjetet juridike efektive për kundërshtimin përpara gjykatave të zakonshme të masës së kontrollit të vendeve ose atij personal edhe në rastin kur kontrolli nuk shoqërohet me masën e sekuestrimit, për sa kohë që kontrolli mbart në vetvete mundësinë për të cenuar të drejtat dhe liritë themelore.

“Gjykata evidenton se objekti i gjykimit kushtetues kufizohet në kontrollin kushtetues të tre vendimeve gjyqësore (vendimet nr. 501/2023, nr. 4/2024 dhe nr. 36/2024) që kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të nxjerra nga provat materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të banesës dhe të vendit të punës së kërkuesit, pavarësisht se vetë provat materiale, nga të cilat janë nxjerrë të dhënat kompjuterike, janë sekuestruar me vendimin tjetër gjyqësor (vendimi nr. 500/2023)”, thuhet në vendim.

Gjykata Kushtetuese vë në dukje se liria e shtypit luan rolin jetik të mbrojtësit publik në përparimin e një shoqërie demokratike për ta bërë pushtetin shtetëror më transparent, më efikas dhe më afër qytetarit. Kushtetuesja thekson se e drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së shtypit. Në vendim thuhet se mbrojtja e burimeve të gazetarit është një prej garancive kryesore të lirisë kushtetuese të shtypit, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë.

Në vendim theksohet se kjo e drejtë e gazetarit krijon kushtet për vendosjen e një marrëdhënieje besimi midis gazetarit dhe informatorit të tij, marrëdhënie që i mundëson gazetarit të marrë informacione për çështje me interes publik, edhe në rastet kur zbulimi i burimit të informacionit mund të jetë i ndaluar me ligj ose do të sillte sanksione të tjera. Kushtetuesja thotë se mungesa e kësaj mbrojtjeje mund të dekurajojë informatorët për të ndihmuar shtypin për informimin e publikut rreth çështjeve me interes publik.

Në këtë kuptim, thuhet në vendim, konfidencialiteti i burimeve të gazetarit mbron jo vetëm gazetarin, por edhe vetë individët që janë burimet që e ndihmojnë gazetarin të informojë qytetarët për çështje me interes publik. Gjykata Kushtetuese shton se e drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tij nuk është thjesht një privilegj për t’u dhënë ose hequr në varësi të ligjshmërisë së burimeve, pasi, në thelb ajo mbron edhe të drejtën e informimit të qytetarëve, që është në vetvete interes publik.

Po ashtu Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit. Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik.

Megjithatë, shton Kushtetuesja, në kuadër edhe të standardeve të vendosura nga GJEDNJ-ja, vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk është proporcionale. Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim.