Kryeministri Edi Rama ishte në qytetin e Pogradecit për takimin përmbyllës elektoral në këtë zonë për zgjedhjet e 11 majit.

Rama gjatë fjalës së tij pati dhe një mesazh për demokratët. Sipas tij, ata duhet të votojnë PS-në për pasaportën evropiane edhe pse mund të mos e pëlqejnë atë si kryeministër.

Nëse nuk e bëjnë dot këtë, Rama i ftoi të mos dalin fare për të votuar më 11 maj, duke i hapur rrugë shumicës.

Të njëjtën gjë ai tha se ka bërë në mars të 92, kur nuk votoi PD-në si shumica e votuesve.

“Dilema me Shqipërinë në BE 2030 apo me bufin e kënetës dhe me kënetën dhe një herë tjetër. Kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk jemi këtu për të thënë se kemi merak se nuk marrim shumicën aritmetike për të qeverisur. Tjetër është shumica aritmetike, tjetër është mesazhi i fortë i gjithë popullit për të negociuar si trup i vetëm.

U them demokratëve të bëjnë të njëjtën gjë që bënë socialistët në mars 92. Në rast se janë prindër të votojnë për fëmijët e tyre, që tu japin fëmijëve të tyre pasaportën evropiane. Që edhe fëmijët të kuptojnë se për këtë pasaportë, baba dhe nëna votuan bënë një sakrificë të madhe, votuan një maskara si Edi Rama.

Le të thonë ç’të duan për mua, por të votojnë 5. Nëse nuk e bëjnë këtë, le të bëjnë atë që bëra unë në mars të ‘92. Nuk shkova fare të votoj. As për askënd tjetër.

Kush nuk shkon të votojë i hap rrugën shumicës. U bashkova me ata që i hapën rrugë Shqipërisë. Le ta bëjnë kështu. Të mos votojnë fare. Të çohet burri që në mëngjes të vishet, të mbajë radhë dhe të hidhet në kënetë.

Demokratët e zakonshëm duhet të bëjnë dhe një sevap. Jo demokratët çyryk, që marrin bufin me tendë. Bufi rri lart mbi kënetë, ata janë poshtë. Një person i lashtë, i dëshpëruar, i pashpresë dhe që ka rrëshqitur. Nuk është në metro”, tha ai.