Kreu i PS-së Edi Rama pas Vlorës po zhvillon takimin përmbyllës në Durrës.
Edhe 3 ditë larg zgjedhjeve të 11 Majit, kryesocialisti po përfundon mitingjet me socialistët. Ditën e nesërme do të përmbyll fushatën e tij në Tiranë, në orën 19:30.

Kryesocialisti Rama e ka nisur fjalimin e tij me ironi ndaj takimit të Berishës pak ditë më parë në Durrës. Rama falënderoi të pranishmit në shesh, duke thënë se ardhja e tyre sot ka pastruar gjurmën e leshterikëve që kishin pushtuar qendrën e Durrësit, duke shigjetuar PD-në.
Nga ana tjetër, Rama tha se PD nga ky shesh dukej si një lëmsh i mbledhur, edhe sipas Ramës imazhi i socialistëve, siç e ka pastruar sot në miting lëmshin e lënë pas të tyre, ashtu dhe do t’i pastrojë edhe demokratët, duke i rrudhur në 11 maj edhe më shumë.
“Dua ta nis me një urim të veçantë, se qysh i vogël kam kaluar në këtë shesh. Kam dashur shumë që ky shesh të ndryshojë dhe, së bashku me kryetarin e bashkisë, e transformuam këtë shesh dhe para pak ditësh, kur Ani më çoi fotografinë e kënetës kur ishte mbledhur këtu, mu duk sikur kishin dalë leshterikët e bregut atje dhe ishin bërë lëmsh këtu. Kështu që faleminderit që erdhët dhe e pastruat komplet atë imazh. Se nuk mundesha dot ta përballoja idenë se ai lëmsh i leshterikëve kishte lënë një hije këtu në këtë shesh. Edhe siç e fshitë ju këtë lëmsh me atë masivitet, me këtë dallgë të dalë nga deti, kështu Durrësi, qarku i Durrësit, do t’i japë një shtytje edhe më të fortë leshterikëve në 11 maj. Një shtytje që do t’i rrudhë edhe më shumë.”-tha Rama.
