Kryesocialisti Edi Rama i ka drejtuar përsëri një apel diasporës shqiptare dhe në veçanti asaj në Greqi, ku haset problematika më e madhe me zarfat e pakthyer të votave, që të veprojnë në këto orë të mbetura të afatit me dërgimin e tyre.

“Dua të përcjell përsëri një mesazh, një kërkesë, një lutje, një nxitje, për të gjithë shqiptarët e Greqisë, që janë regjistruar për të qenë zgjedhës në takimin historik të 11 majit, kur do të zgjedhin se kush do qeverisë në 4 vitet e ardhshme, por se çfarë fuqie do i japin Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE brenda 2027-ës dhe për t’u bërë zonjë në sallonin e madh të shtëpisë së Europës së Bashkuar, në Shqipërinë 2030.

Ju lutem shumë, zarfat duhen kthyer! Dje ka pasur një lëvizje pozitive, ju falenderoj të gjithëve, por ka ende shumë zarfa me votën të shpërndarë nga DHL që duhen kthyer për të ardhur në Tiranë dhe për t’u bërë pjesë e lumit të madh kuqezi që do të përmbysë kutitë e votimit të 11 majit dhe do nxjerrë prej tyre një vullnet kuqezi për të përmbushur një mision historik dhe për t’i dhënë shtetit shqiptar, popullit shqiptar, kombit shqiptar, secilit prej fëmijëve tanë dhe çdo idividi që përfaqëson këtë komb, këtë shtet, këtë vend, këtë popull, dinjitetin europian, statusin e ri të qytetarisë europiane”, shprehet Rama në një video-postimi në rrjetin social Facebook.