Tirana është kthyer vitet e fundit në një prej destinacioneve kryesore për turistët e huaj.

Vizitorët shihen kudo në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit, që nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Skënderbej”, te “Piramida”, në Bunk’Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzeumet e Tiranës.

Por ditët e fundit ajo që bie në sy është interesi i tyre për “Shtëpinë e Europës”, e cila u ngrit në kuadër të Samitit VI të komunitetit Politik Europian, që u mbajt në Tiranë më 16 maj dhe që mblodhi liderët e vendeve evropiane.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga vizita e turistëve të huaj në “Shtëpinë e Europës” dhe jo vetëm.

“Në sheshin “Skënderbej” turistët sot kishin edhe një destinacion më shumë, “Shtëpinë e Europës””, shkruan Rama.

E vendosur pas monumentit të Heroit tonë Kombëtar, për turistët ka ngjallur interes struktura, e ngritur enkas për këtë event, e veshur e gjitha me vizatimet e fëmijëve shqiptarë që tregojnë se si e shohin ata Europën.