Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu ka bërë thirrje përsëri shqiptarëve të diasporës, në ditën e fundit të fushatës, që të nxitohen dhe të dërgojnë zarfe në postë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit. Ai theksoi se ky është momenti i fundit për të bërë pjesë në këtë proces historik, duke i kujtuar shqiptarëve jashtë vendit se kanë mundësinë të votojnë për herë të parë nga jashtë.
Rama u shpreh: „Është dita e fundit e ballafaqimit të palëve para gjykimit të popullit sovran, ky është edhe mesazhi i fundit që dua t’u përcjellë motrave dhe vëllezërve tanë në Greqi, e me radhë, ku ende ka zarfe që janë nëpër shtëpi dhe ku ka ende kohë për t’u bërë pjesë e takimit të historisë në 11 maj.

Ju lutem, ju lutem… jeni në kushtet ku për herë të parë në histori mund të votoni nga jashtë dhe të merrni pjesë në një palë zgjedhje për të përcaktuar ku do jetë Shqipëria në 2030, besoj do ta bëni një mund përballë mundeve të shumta që keni bërë.”
Sot është afati i fundit për dorëzimin e fletëve të votimit nga shqiptarët e diasporës.
