Një reagim i prerë ka ardhur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, pas publikimit të një artikulli nga Syri.net, ku pretendohet se Ambasadori i BE-së ka ushtruar ndikim për të hequr emra nga një pjesë e raportit të ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri.
“Pretendimet janë të rreme,” thuhet në deklaratën zyrtare të BE-së, që mohon kategorikisht çdo përfshirje apo ndërhyrje në përmbajtjen e raportit.
“Siç ka theksuar vetë Ambasadori i BE-së në deklaratat për shtyp, Bashkimi Evropian nuk ndërhyn dhe as nuk kërkon të ndikojë në proceset demokratike të Shqipërisë,” nënvizohet në reagim, i cili shënjestron drejtpërdrejt lajmet e publikuara nga portali Syri.net.
Sipas BE-së, raportet e OSBE/ODIHR janë të pavarura, të paanshme dhe bazohen vetëm në gjetje të verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Deklarata e Brukselit vjen me një ton të ashpër edhe ndaj përhapjes së dezinformimit, duke paralajmëruar se lajme të tilla mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në proceset demokratike dhe të cenojnë klimën e stabilitetit politik.
“BE është këtu për të mbështetur dhe shoqëruar Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, jo për të ndërhyrë apo manipuluar në asnjë mënyrë,” theksohet më tej.
Ky reagim i fortë tregon seriozitetin me të cilin Brukseli i trajton përpjekjet për të vënë në dyshim integritetin e misioneve ndërkombëtare në vend, veçanërisht në një moment kritik pas përfundimit të zgjedhjeve dhe në pritje të publikimit përfundimtar të vlerësimeve të OSBE/ODIHR.