Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas komenteve dhe opinioneve të shumta kundërshtuese që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale, lidhur me vendimin e marrë një ditë më parë mbi administrimin e dokumentacionit zgjedhor të votuesve nga jashtë.

Në një reagim për mediat, KQZ sqaron se nuk ka asnjë vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për përjashtimin e votuesve nga Greqia nga procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave. Sipas institucionit, vendimi i marrë ka të bëjë vetëm me aspektin administrativ të trajtimit të dokumentacionit gjatë kohës kur ai shqyrtohet nga numëruesit dhe komisionet përkatëse në të 12 qarqet e vendit.

“Sqarojmë se nuk ka vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të përjashtuar nga numërimi dhe vlerësimi i votave të votuesve nga Greqia.

Vendimi i marrë një ditë më parë, ka si qëllim vetëm mirë administrimin e dokumentacionit zgjedhor të votuesve nga jashtë, gjatë kohës kur ky dokumentacion, shqyrtohet nga numëruesit dhe komisionet përkatëse të administrimit të numërimit dhe dhe vlerësimit të votave nga jashtë për 12 qarqet e vendit.

Komentet dhe opinionet kundërshtuese për këtë akt janë mosonjohje e faktit dhe me raste edhe spekullime.”-thuhet në reagimin e KQZ për mediat.