Kushtet e Presidentit Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që udhëheqësit perëndimorë të angazhohen me shkrim për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe për të hequr disa sanksione kundër Rusisë. Ky lajm është konfirmuar nga tre burime ruse që janë përfshira me negociatat. Sipas Reuters, Rusia ka njoftuar se aktualisht po harton versionin e saj të memorandumit, ndërsa ka thënë se nuk është në gjendje të vlerësojë se sa kohë do të duhet për ta përfunduar. Nga ana e tyre, Kievi dhe qeveritë evropiane akuzojnë Moskën për zvarritje të paqen, ndërkohë që trupat e saj përparojnë në Ukrainën lindore.
“Çmimi” për paqen
“Putini është gati të bëjë paqe, por jo me çdo çmim,”- tha një burim rus, të cilin Reuters nuk e përmendi, i cili ka dijeni për diskutimet në Kremlin. Tre burimet ruse sqaruan se Putin dëshiron një angazhim “me shkrim” nga fuqitë e mëdha perëndimore për të mos zgjeruar aleancën e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të drejt lindjes, në mënyrë që të përjashtohet zyrtarisht mundësia e anëtarësimit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, si dhe të republikave të tjera ish-sovjetike.
Rusia po kërkon gjithashtu neutralitetin e Ukrainës, heqjen e sanksioneve perëndimore, një zgjidhje të çështjes së aseteve shtetërore ruse të “ngrira” në Perëndim, si dhe mbrojtjen e rusishtfolësve në Ukrainë. Sipas burimit të parë, nëse Putini e kupton se nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje paqeje sipas kushteve të tij, ai do të përpiqet t’u provojë ukrainasve dhe evropianëve me fitore ushtarake se “paqja e nesërme do të jetë edhe më e dhimbshme”.
Putini dhe zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se çdo marrëveshje paqeje duhet të adresojë “shkaqet më të thella” të konfliktit – një referencë për çështjen e zgjerimit të NATO-s dhe mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Kievi ka deklaruar vazhdimisht se Rusisë nuk duhet t’i jepet e drejta e vetos. Ukraina thekson gjithashtu se është e nevojshme që Perëndimi t’i japë vendit një garanci të fortë sigurie në mënyrë që të jetë në gjendje të pengojë çdo sulm të ardhshëm rus.
NATO ka deklaruar gjithashtu se nuk do ta ndryshojë politikën e saj të “dyerve të hapura” vetëm sepse e kërkon Moska.
Kostoja e luftës
Putini është gjithnjë e më i shqetësuar për shtrembërimet në ekonominë ruse, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe normave të larta të interesit të vendosura për të frenuar inflacionin. Çmimi i naftës , themeli i ekonomisë ruse, ka qenë në rënie të vazhdueshme këtë vit. Trump, i cili mburret me marrëdhëniet e tij miqësore me Putinin dhe ka shprehur besimin se udhëheqësi rus dëshiron paqe, ndaj edhe paralajmëroi se Uashingtoni do të vendosë sanksione të mëtejshme nëse Moska vonon përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit. Megjithatë, burimi i parë tha se “nëse Putini sheh një mundësi taktike në fushën e betejës, ai do t’i përparojë më tej forcat e tij në Ukrainë” dhe se Kremlini beson se Rusia është e aftë të luftojë për vite me radhë, pavarësisht sanksioneve dhe presionit ekonomik nga Perëndimi.
Një burim i dytë theksoi gjithashtu se Putini tani është më pak i gatshëm të bëjë kompromis për territorin dhe këmbëngul në qëndrimin e tij publik se dëshiron që të katër rajonet në Ukrainën lindore të ankesohennga Moska.
“Putini e ka ngurtësuar qëndrimin e tij”,- tha burimi i dytë në lidhje me çështjen territoriale.
Marrëveshje apo dështim i bisedimeve?
Ndërsa Trump dhe Putin debatojnë publikisht mbi perspektivat e paqes në Ukrainë, është e paqartë nëse intensifikimi i operacioneve ushtarake dhe ngurtësimi i qëndrimeve sinjalizon vendosmëri për një marrëveshje apo një dështim të bisedimeve. Qershorin e kaluar, Putini përcaktoi kushtet e tij për një përfundim të menjëhershëm të luftës: Ukraina duhet të braktisë ambiciet e saj për në NATO dhe të tërheqë të gjitha trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve ukrainase që pretendohen dhe kontrollohen kryesisht nga Rusia.
Përveç Krimesë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, Rusia aktualisht kontrollon pothuajse të gjithë Luhanskun dhe më shumë se 70% të rajoneve të Donetskut , Zaporizhzhyesë dhe Khersonit. Gjithashtu zë një pjesë të rajoneve të Kharkiv dhe Summy-t dhe aktualisht po kërcënon edhe Dnipropetrovskun.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia bëri që Finlanda të anëtarësohej në NATO në vitin 2023, e ndjekur nga pranimi i Suedisë në vitin 2024 .
Udhëheqësit e Evropës Perëndimore kanë deklaruar vazhdimisht se, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, një ditë mund të sulmojë vetë NATO-n, duke shkaktuar një luftë globale. Rusia i ka hedhur poshtë pretendime të tilla si të pabaza, por ka paralajmëruar gjithashtu se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë.