Rikthimi i titullit kampion tek Tirana në volejboll për femra pas 12 vitesh ka qenë suksesi më i përfolur në këtë sport gjatë mbylljes së edicionit në fillim të këtij muaji.

Një rikthim që vjen menjëherë edhe pas rikthimit të Ardian Gorencës, trajnerit legjendar të vajzave bardheblu të volejbollit, i cili edhe në këtë periudhë pushimesh vazhdon stërvitjen si në një sezon i rregullt. Për Top Channel Gorenca tregon çelësin e rikthimit tek titulli të vajzave të kryeqytetit.

“Stërvitshmëria me intensitet, me një ndërgjegje të pastër me udhëheqjen e kapitenes së skuadrës Enki Braho që diti ta drejtojë ekipin edhe në momente kritike ekipin. Kishte një kompaktësi mes vajzave dhe nuk kisha zënka mes tyre”-shprehet Gorenca për gazetarin Endi Tufa.

Megjithatë për të fituar trofe edhe në volejbollin e vajzave, dikur të një niveli shumë të lartë edhe në rajon jo vetëm në Shqipëri, duhet ndihma e sportisteve të huaja që në ditët e sotme lejohen 3 të tilla në lojë dhe Tirana ashtu si ekipet e tjera I përdori gjatë sezonit të kaluar.

“Nuk ka akoma vajza që të përballojnë volejbollin shqiptar prandaj edhe ne fusim lojtare të huaja, dikur nuk kishte sepse mbështetej gjithmonë në bazën e çdo ekipi. Duhet të punohet me ekipet zinxhir, si ato të klasave sportive që normalisht nuk janë më, ashtu edhe të klubeve. Tani që federate po bën një ndryshim dhe nëse do të punohet seriozisht situate do të ndryshojë shumë shpejt“.

Por kur mendohet se për ekipin fitues janë pushimet shpërblimi më i merituar, për Gorencën me sa duket nuk është kështu.

“Pavarësisht se ne fituam kupën e republikës dolëm edhe kampion ne vazhdojmë stërvitjen rregullisht dhe besoj që unë me punën që do të bëj bashkë me vajzat dhe stafin se vetëm në nuk e bëj dot, them se do të dalim po prap kampion.”/Top Channel