Në një rrëfim që ngjall hijet e së kaluarës, Juan Sebastián Marroquín, i njohur më parë si Juan Pablo Escobar, ka dëshmuar edhe një herë peshën e mbajtjes së emrit të trafikantit më të frikshëm të drogës në Kolumbi. Duke folur me podcastin e autorit meksikan Melo Montoya, arkitekti dhe shkrimtari rrëfeu fragmente të fëmijërisë së tij të shënuara nga luksi ekstrem, dhuna dhe kërcënimet e vazhdueshme. Një nga momentet më mbresëlënëse të intervistës ishte kur ai zbuloi se ndonjëherë shkonte në shkollë me helikopter.
“Për të shmangur vonesat në shkollë nga Finca Nápoles, e cila ishte tre orë larg me makinë, udhëtoja me helikopter,”- tha Marroquín, tani 48 vjeç, për mediat e huaja. Kjo pronë, që tani një park argëtues, ishte qendra e operacioneve për perandorinë e Pablo Escobarit gjatë kulmit të Kartelit “Medellín”.
Por transporti ajror për në shkollë nuk ishte simbol luksi, por masash paraprake. Marroquín tregon se babai i tij kishte një ushtri personale: Ai kishte rreth 50 burra që e mbronin dhe çdo anëtar i familjes kishte 15 roje.
Pavarësisht kësaj rrjete sigurie, fëmijëria e tij nuk ishte aspak e sigurt.
“Kur isha 12 vjeç, isha në makinë kur na u hodh një granatë dhe hyri në automjet. Më ra midis këmbëve. E hodha nga dritarja pak para se të shpërthente,”- tregoi ai, ende me tension.
Vetmia ishte gjithashtu pjesë e jetës së tij shkollore.
“Kisha pak kontakt me bashkëmoshatarët e mi. Kisha vetëm një mik, një djalë jetim, prindërit e të cilit nuk mund ta ndalonin të dilte me mua,”- tregon ai.
Marroquín ka këmbëngulur se vendosi të mos ndiqte gjurmët e të atit. Ai ndryshoi emrin, vendin e banimit dhe drejtimin e tij të jetës, por nuk ishte e thjeshtë.
“Më kërcënuan që nuk u bëra Pablo Escobar,”- tha ai. Por jeta e çoi drejt letërsisë dhe arkitekturës, dy fusha që, sipas tij, i kanë lejuar të pajtohet me të kaluarën.
Ai ndau edhe detaje rreth pasurisë së familjes. Escobar, para vdekjes së tij në vitin 1993, la të fshehura 9 milionë dollarë. Marroquín tregoi se në një rast, ndërsa ishte me pesë të afërm në një hotel i ruajtur nga 150 burra të armatosur, paratë thjesht i mbaruan.
“Fatura e hotelit ishte e jashtëzakonshme e majme,”-shtoi ai.
Sot, Marroquín nuk i ikën historisë së tij, por përpiqet t’i japë asaj një kuptim tjetër. Në librat dhe intervistat e tij, ai rindërton ndikimin e trafikut të drogës në familjen dhe jetën e tij personale. Ai e bën këtë me qëllimin, sipas tij, që të rinjtë e tjerë të mos i përsërisin gabimet e së kaluarës.