Nga Hermes Kafexhiu/
E shpifur, fyese, e dhimbshme. Jo thjesht për një pjesë të demokratëve por për çdo qytetar të ndershëm që e ka parë Partinë Demokratike si një instrument të shpresës, ndryshimit dhe dinjitetit politik. Sjellja e Flamur Nokës dhe Albana Vokshit për të mos lënë vend për një profil si Dr. Ilir Alimehmeti, është fotografia më e qartë e dekadencës së një kaste politike që është rrokur pas karrigeve si të ishin trashëgimi personale.
Në vend që të reflektojnë, të japin shembullin e një etike të re politike, ata rrinë ngjitur në listë sikur koha të mos ketë kaluar kurrë. Si mund të quhet ndryshe kjo përveçse një pështirosje ndaj çdo ideali për të cilin kjo parti ka lindur?
Alimehmeti nuk është nga ata që sorollaten në studio televizive me fjali boshe dhe premtime të mykura. Ai është një profil qytetar, me integritet dhe reputacion publik pikërisht ajo që Partia Demokratike ka mungesë ekstreme. Dhe në vend që ta mbështesin, në vend që të lënë hapësirë për të, të dy “veteranët” e bunkerizuar zgjedhin të rrijnë përjetësisht në listë, sikur populli të jetë thjesht një dekor që duhet duartrokitur.
Çfarë shërbimi i bëjnë Nokës dhe Vokshit PD-së sot? Përveçse janë kthyer në simbole të një politike që mban peng çdo përpjekje për rinovim. Demokratët janë lodhur nga emrat e ricikluar që sillen rrotull si hije të së shkuarës, duke refuzuar çdo ndryshim, çdo fytyrë të re, çdo energji të pastër që nuk është e lidhur me pazaret apo me luftërat e vjetra fraksionesh.
Nuk ka asgjë më të neveritshme politikisht sesa të shohësh një kastë që mbron vendin në listë më shumë sesa parimet për të cilat pretendon se lufton. Kjo nuk është më politikë kjo është kapje. Kjo është një shpërfytyrim brutal i çdo procesi përfaqësimi, dhe është, pa dyshim, tradhti ndaj çdo anëtari të PD-së që ende shpreson se kjo parti mund të ngjallet.
A ka më turp se kaq? A ka më shumë neveri për një demokrat të thjeshtë, i cili shikon se si figura me integritet nuk kanë hapësirë, ndërsa në krye vazhdojnë të qëndrojnë të njëjtët emra që nuk dinë të ikin me dinjitet?
Kur mungon reflektimi, kur mungon etika politike, kur mungon vullneti për t’i hapur rrugë të rinjve me vlera, atëherë ajo që mbetet është thjesht një bunker. Dhe bunkerët nuk i ndërton vetëm pushteti por edhe ata që nuk heqin dorë nga karrigia edhe kur partia përmbytet.
Nëse PD do të ketë një të ardhme, kjo nuk mund të ndërtohet mbi shpinën e emrave të konsumuar. Dhe nëse sot, dikush nga brenda nuk ka kurajën t’ua thotë këtyre figurave “boll më”, atëherë baza duhet të flasë. Qartësisht. Fort. Me përçmim për bunkerizimin dhe me vlerësim për kurajën qytetare të atyre që s’kanë nevojë të bërtasin për t’u dëgjuar.
Sepse shpifja më e madhe nuk është thjesht që Noka dhe Vokshi nuk japin dorëheqje por që askush nuk ua kërkon me zë.