Nga Mento Kikia/ 

Përmasat e një njeriu nuk dallohen nga fjalët e mira që i thonë ditën kur e përcjellin, por se sa e kujtojnë vite pasi ai ka ikur.

Dritan Hoxha është padyshim një njeri që e ka fituar statusin e përjetësisë në këtë drejtim. Dita e lindjes dhe dita e ikjes, janë ditë kur shumë njerëz e risjellin atë në vëmendje. Dhe Tani, çdo vit që kalon, duket se bëhet edhe më madhështor. Koha nuk e zbeh, përkundrazi, dëshmon se shkëlqimi i tij ka qenë shumë më i madh nga sa e perceptonim në kohën kur ai ishte me ne.

Kam një arsye të madhe për këtë pëtë vlerësim!

Tani i dha medias(jo vetëm asaj që ai ngriti), por medias në tërësi, pushtetin e vërtetë. Ai hyri në këtë fushë, në një kohë kur media vizive ishte duke u ngritur në këmbë, e varfër, e dobët, e kontrolluar…

Ai investoi pa u kursyer në teknologji. Ishte një revolucionar largpamës, një strateg. Shërbeu si model për të tërhequr pas pionierët e kësaj fushe, edhe ata që do të hidheshin në këtë det pas tij.

Por, mbi të gjitha, ai i dha medias fuqinë dhe autoritetin. E ngriti atë në nivelin e një pushteti, sikundër duhej të ishte realisht.

Ai kishte pasionin për median, e adhuronte atë. Nuk e shikonte si biznes, nuk e shikonte si pallat të cilin e ndërton për të fituar, as si supermarket për të llogaritur se çfarë shiti e sa fitoi.

Lajmi i parë i edicionit të parë në Top Channel: Qeveria kishte dhënë leje për shfrytëzimin(marrjen e rërës) në gjirin e Gjipesë. Ministri i kohës i ekonomisë më mori në telefon i revoltuar. “Çfarë është kjo? Kujt i thatë? Mirë mirë, se flas vetë me Tanin unë”.

Kishte folur me Tanin, dhe porosia e Tanit ishte: Vazhdoni, merruni me çështjen. U morëm, derisa shkatërrimi i gjirit u ndal.

Media mori fuqinë e një instituconi. Qytetarët vinin të ankoheshin në televizione edhe për pusetat e pambyllura nëpër rrugë. Ai revolucionarizoi median dhe me vizionin e tij ngriti “Digitalb”- in, platformën që u bë simboli i komunikimit mbarëbotëror të shqiptarëve.

Pas kaq kohe, e shikoj edhe më madhështor Tanin, vizionin e tij dhe qëndrimin e tij. Gazetaria është sot në ditë të vështira. Media e ka humbur besimin absolut që kishte në popull.

Dhe, për këtë arsye Tani më duket edhe më i madh me idealizmin e tij.

Ai mungon në shumë përmasa. Mungon si prind, si familjar. Mungon si shok e si mik. Por shoqërisë i mungon si një vizionar i papërsëritshëm.

P.S: Sot është dita kur Tani u nda nga jeta, 23 maj 2008.