Presidenti Bajram Begaj ka marrë pjesë në forumin për paqe dhe dialog që po mbahet në Dayton. Paqja dhe prosperiteti në Ballkan është fokusi i këtij forumi. Gjatë fjalës së tij presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të plotë për Marrëveshjen e Dejtonit dhe advokon me vendosmëri për integrimin euroatlantik të Bosnje-Hercegovinës.
Më tej nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dejtonit nuk do të ishte e mundur.
Fjala e plotë
Tridhjetë vjet më parë, pikërisht në këtë qytet, diplomacia triumfoi mbi shkatërrimin. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit i dha fund një lufte të egër në Ballkan, duke mbetur një gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës. Historitë e dhimbshme njerëzore, konfliktet tragjike të së kaluarës dhe ato ende në zhvillim, na kujtojnë rëndësinë e paqes dhe nevojën për ta ruajtur atë.
Ne shqiptarët e kuptojmë vlerën e paqes. E kemi përjetuar vetë pasojën e konfliktit. Në Kosovë, veprimi në kohë dhe vendimtar ndihmoi në shmangien e një katastrofe humanitare.
Sot, Kosova qëndron si një shtet i ri, i pavarur, demokratik dhe funksional — një dëshmi e fuqishme e potencialit për transformim përmes sakrificës së thellë dhe dialogut të qëllimshëm. Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të plotë për Marrëveshjen e Dejtonit dhe advokon me vendosmëri për integrimin euroatlantik të Bosnje-Hercegovinës.
Teksa shënojmë këtë përvjetor të rëndësishëm, Shqipëria rikonfirmon përkushtimin e saj të fortë ndaj vlerave themelore të demokracisë, promovimit të paqes, sigurisë, stabilitetit, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Ne shqiptarët jemi krenarë për partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dejtonit nuk do të ishte e mundur.
Pa udhëheqjen amerikane, ne nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e sotëm pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së. Ne shqiptarët e nderojmë thellësisht dhe e vlerësojmë miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që vijnë.
Shqiptarët e vlerësojnë shumë angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin tonë. Shqipëria qëndron krenare si anëtare e Aleancës Euroatlantike.
Kemi rritur buxhetin tonë të mbrojtjes dhe mbetemi të përkushtuar fuqishëm për forcimin e solidaritetit, unitetit dhe kohezionit të NATO-s.
Ne shqiptarët e vlerësojmë thellësisht rolin thelbësor që luan Bashkimi Evropian në rajon përmes mbështetjes së tij për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Shqipëria është e nderuar të kontribuojë në këto përpjekje dhe mbetet një partnere e përkushtuar dhe e besueshme.
Siguria e rajonit tonë nuk është e izoluar. Agresioni ndaj Ukrainës na ka treguar se sa shpejt mund të përhapet paqëndrueshmëria.
Na kujton se liria, demokracia dhe paqja duhet të mbrohen në shtëpi dhe përtej kufijve tanë.
Rruga përpara paraqet sfida. Por së bashku, mund t’i kthejmë këto sfida në mundësi, frikën në shpresë dhe ndarjen në unitet.
Le të rikonfirmojmë përkushtimin tonë për Ballkanin Perëndimor — një rajon që nuk mbetet në hijen e së kaluarës, por qëndron në dritën e së ardhmes së vet.
Tridhjetë vjet më parë, paqja u bë e mundur këtu. Tani është detyra jonë ta bëjmë atë të përhershme.