Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila siguroi një mandat në Kuvend në zgjedhjet e 11 majit, ka komentuar së fundmi situatën brenda forcës politike ku bën pjesë.
E ftuar në një intervistë për Top Channel, Tabaku u shpreh se Partia Demokratike do të zhvillojë një analizë të brendshme, teksa shtoi se problemet dhe debatet e partisë do t’i mbajnë mes tyre dhe se nuk do të përsërisin gabimet e të shkuarës, duke i nxjerrë ato jashtë selisë blu.
“Çështjet e PD do i skutojë PD edhe unë ta kam thënë që çështjen e debatit e kemi bërë gabim që e kemi çuar jashtë dhe në parlament.
Ne do të kemi një analizë të brendshme, por nuk kemi për ta bërë kurrë gabimin që ka ndodhur në katër vitet e shkuara që shqetësimet ti diskutojmë jashtë dhe ti themi jashtë dhe ta lëmë PD ti bëjë vetë proceset e brendshme, diskutimet dhe debatet ti ketë brenda partisë”, tha Tabaku, ndërkohë që gjatë fjalës së deputetes në ekran u shfaq edhe Edvin Kulluri i cili nuk ka “mbajtur” të qeshurën teksa demokratja po thoshte disa herë që forca politike në të cilën ajo bën pjesë nuk do të përsërisë gabimet e të shkuarës.
Kujtojmë se Edvin Kulluri dikur ka qenë pjesë e PD, ndërkohë që në zgjedhjet e 11 Majit kandidoi me logon e koalicionit “Djathtas për Zhvillim”.