Tragjedia e një viti më parë në Shkodër, ku nëna me 3 fëmijët e saj të mitur ndërmori aktin ekstrem të flijimit pas konflikteve me bashkëshortin, mbyllet me dënimin e këtij të fundit me 4 vite burgim.

Gjyqtari i Shkodrës, Orgent Nazaj ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 6 vite burgim Erdgys Arrazin, për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim është ulur me 2 vite, duke e dënuar përfundimisht me 4 vjet heqje lirie. vendimi rezulton se është dhënë më 25 shkurt të këtij viti (rreth një muaj pas pretencës), por është zbuluar vetëm së fundmi.

Erdgys Arrazi ishte arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lumin Buna, pasi u akuzua se shkak i tragjedisë ishte dhuna që ai ushtronte fizikisht dhe psikologjikisht ndaj viktimës Alma Arrazi, e cila mori edhe jetën e tre fëmijëve në atë akt.

Edhe pse nuk e ka pranuar akuzën, ai u hetua dhe gjykya, teksa do i duhet të vuajë edhe 4 vite burgim të dhëna nga gjykata.

Ngjarja e ndodhur në 3 Maj 2024, e cila tronditi vendin pasi policia gjeti të mbytur në lumë nënën dhe 3 fëmijët, tashmë ka vetëm një autor përgjegjës dhe ai është kryefamiljari, Erdgys Arrazi.

Gjatë pretencës, Prokuroria e Shkodrës kërkoi dënimin me 6 vite burgim për Erdgys Arrazin.

Sipas hetimeve, Alma Arrazi në përpjekje të dëshpëruar për t’i shpëtuar dhunës bashkëshortore, u hodh nga ura e Bunës në Shkodër bashkë me fëmijët.

Ngjarja tragjike u shënua mbrëmjen e 3 Majit 2024, ndërsa u zbulua dy ditë më vonë kur një peshkatar gjeti rastësisht trupin e vajzës 9 vjeçe.