Serbia ishte kundërshtari që shumë në grupin e kualifikuese të Botërorit nuk e dëshironin dhe kjo jo për aspektin sportiv, por për atë që kjo sfidë përfaqëson për shqiptarët. Ndeshja në Arenën Kombëtare nuk është e zakonshme dhe këtë e tregon edhe fakti që në polici plani për masat ka nisur të hartohet shumë më herët. Burime të Report TV bëjnë me dije se 1500 forca policia do të angazhohen për mbarëvajtjen e kësaj sfide, duke nisur nga shoqërimi i dy përfaqësuesve, me fokus të veçantë atë të Serbisë. Nga momenti i mbërritjes në Tiranë, një ditë para ndeshjes dhe deri në largimin nga Shqipëria.
Në terren për Shqipëri-Serbi do të jetë edhe anti-terrori, ndërsa për çdo rast mund të përfshihet edhe RENEA. Shërbimi Informativ Shtetëror, ose SHISH, ka nisur prej kohësh të monitorojë rreziqet e mundshme, ndërsa masat përfshijnë edhe sigurinë brenda stadiumit edhe pse me ligj i takon kompanisë private që kontaktohet nga FSHF. Forcat e policisë do të jenë edhe në ambientet e stadiumit, ndërsa federata ka marrë masat për përdorimin e kamerave specifike që bëjnë identifikimin me fytyrë të çdo tifozë që mund të bëjë sjellje të pahijshme.
Po përse këto masa për ndeshjen me Serbinë?
Arsyeja më e fortë është lufta që ky shtet ka bërë në territorin e shqiptarëve të Kosovës, tensionet politike dhe incidentet që janë rrjedhojë më pas. Një prej më të fortëve është ndeshja e Beogradit mes Serbisë dhe Shqipërisë, në tetor 2014, kur ultrasit serbë sulmuan në fushën e lojës futbollistët e kombëtares kuqezi. Të njëjtët ultras të cilët thuajse në çdo stadium nuk harrojnë të thërrasin ‘Kosova është Serbi’ apo të djegin flamurin shqiptar apo edhe atë të Kosovës. Pjesë e këtyre ultrasve, siç është thënë më herët edhe nga vetë mediat serbe, janë ish-ushtarakë të cilët kanë bërë luftime në Ballkan.
Një incident u regjistrua edhe në ndeshjen e kthimit që u luajt në Shqipëri, teksa në Tiranë një tifoz gjuajti me gurë autobusin e ekipit serb. Megjithatë në atë përballje tifozët shqiptarë mbajnë mend peripecitë e mëdha për të hyrë në stadium, me kontrolle sigurie të jashtëzakonshme, që shpresojnë ti shmangin me 7 qershor në Tiranë.