Një akt i paprecedentë dhune ka ndodhur në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Kandidati për deputet i Sali Berishës, i treti në listën e mbyllur të qarkut të Korçës, Bledjon Nallbati, ka dhunuar një shofer kamioni. Report Tv ka siguruar ekskluzivisht videon e momentit kur Nallbati qëllon me shpulla shoferin e kamionit në mes të rrugës.
Rrethanat dhe shkaqet mbeten ende të paqarta, por nga një video që ka siguruar Report Tv, shfaqet Nallbati dhe një tjetër person që e shoqëron si shofer, teksa ndalojnë fuoristradën në mes të rrugës para trajlerit.

Është shoferi i Nallbatit që del i pari nga makina dhe më pas edhe kandidati i Berishës, i treti në listën e mbyllur të Korçës.
Nallbati, i cili dallohet në video i veshur me një xhaketë dhe një bluzë të bardhë, fillimisht përpiqet të ndalojë sherrin mes shoferit të tij dhe shoferit të kamionit. Shoqëruesi i Nallbatit dallohet të debatojë me tonë të ashpra. Pas pak sekondash, Nallbati që po përpiqej të ‘shuante’ sherrin, jo vetëm që përfshihet edhe vetë në konflikt, por edhe dhunon shoferin e kamionit.
Fillimisht i hakërrehet shoferit të trajlerit dhe më pas hap derën për ta zbritur duke e goditur. Shoferi përpiqet që të vetëmbrohet nga agresioni, por për asnjë çast pa lëvizur nga sedilja dhe kabina e tij.
Nallbati vijon dhunën fizike teksa hipën në shkallën e kamionit dhe godet me grushte nga dritarja e derës shoferin. Aty ndërhyjnë edhe qytetarë të pranishëm që grumbullohen, duke e larguar deputetin e qarkut të Korçës, që edhe gjatë seancave plenare të kaosit në Kuvend vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti, ka qenë ndër më aktivët dhe agresivët për PD-në.